Adoleshenti tajlandez, gjithashtu edhe autor i të shtënave vdekjeprurëse në një shkollë jashtë Bangkokut, kishte parë përmbajtje të dhunshme në internet, tha policia.
14-vjeçari dyshohet se qëlloi për vdekje gjyshërit e tij në shtëpi përpara se të vriste gjashtë persona të tjerë në shkollë, dhe në fund t’i drejtonte armën vetes.
Policia tha se djali kishte mësuar të përdorte armën nga rrjetet sociale.
“Sipas intervistave me dëshmitarët, autori i krimit kishte filluar të tregonte interes për të studiuar përdorimin e armëve të zjarrit për njëfarë kohe, rreth një deri në dy vjet”, tha , zëvendëskomisioneri i Rajonit 1 të Policisë Provinciale.
Atthapol, i cili tha se policia deri më tani kishte intervistuar 17 dëshmitarë, tha se një thikë ishte gjetur gjithashtu në çantën e djalit dhe prova të tjera të gjetura në vendet e krimit përfshinin një armë zjarri, gëzhoja të përdorura dhe një kompjuter personal.
“Pas shqyrtimit të kompjuterit, u zbulua se fëmija kishte parë përmbajtje që përfshinte dhunë”, tha zëvendëskomisioneri, por shtoi se ende nuk kishte prova se ai ishte praktikuar të qëllonte me armë.
Ai tha se vitin e kaluar një mësues kishte konfiskuar një pushkë BB, një lloj pushke me ajër, që djali e merrte me vete në shkollë. Djali kishte jetuar me gjyshërit e tij për 12 vjet pasi prindërit e tij ishin ndarë.
Ministria e Arsimit tha se do të zhvillojë protokolle të reja sigurie gjatë tre muajve të ardhshëm, duke përfshirë ekzaminime të shëndetit mendor dhe një sistem për t’i referuar personat në rrezik te specialistët, stërvitje për planet e reagimit ndaj emergjencave, një përpjekje për të zhdukur ngacmimin dhe zbulim më të mirë për të ndaluar futjen e sendeve në shkolla.






