Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me kontrollet e intensifikuara në trafik për respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, në kuadër të aksionit të koordinuar evropian të Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut – ROADPOL.
Nga 3 deri më 9 gusht 2026, Sektori për Çështje të Trafikut pranë MPB-së po zbaton kontrolle të shtuara për zbulimin dhe sanksionimin e drejtuesve që lëvizin me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuar.

Nga policia paralajmërojnë se shpejtësia e tepërt është një nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve të rënda me pasoja tragjike. Çdo tejkalim i kufizimit rrit rrezikun e aksidentit dhe zvogëlon mundësinë për reagim në kohë.
MPB u bën apel shoferëve që ta ulin shpejtësinë, ta përshtatin atë me kushtet e rrugës dhe të ngasin me përgjegjësi.“Qëllimi ynë është i vetëm – çdo person të arrijë i sigurt në destinacionin e tij. Ule shpejtësinë. Shpëto jetë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.





