Kur një automjet qëndron i parkuar për një kohë të gjatë, sistemi i frenimit mund të pësojë ndryshime që ndikojnë në sigurinë gjatë vozitjes së parë.
Diskat dhe tamburët e frenave janë të prodhuar kryesisht nga aliazh çeliku dhe kanë vetëm një shtresë të kufizuar mbrojtëse kundër korrozionit.

Pas disa orësh qëndrimi në një ambient me lagështi, në sipërfaqen e tyre mund të krijohet një shtresë e hollë ndryshku. Sa më gjatë të qëndrojë makina, aq më shumë përkeqësohet gjendja, veçanërisht në hapësira parkimi me kullim të dobët ose në kushte ku frenat ekspozohen ndaj kripës gjatë dimrit.
Korrozioni mund të ndikojë në performancën e frenimit, prandaj në udhëtimin e parë pas disa ditësh, javësh apo më gjatë pa përdorim, shoferët këshillohen të jenë të kujdesshëm.
Para nisjes, është mirë të shtypet dhe të lirohet lehtë pedali i frenave disa herë. Pas nisjes, frenoni butë në një zonë të sigurt për të hequr ndryshkun sipërfaqësor dhe për të kontrolluar reagimin e frenave.
Gjithashtu, duhet kushtuar vëmendje zhurmave gjatë frenimit. Nëse pas disa frenimeve vazhdojnë kërcitjet ose zhurmat e pazakonta, rekomandohet kontrolli i sistemit të frenimit nga një mekanik.
Para një periudhe të gjatë parkimi, ekspertët këshillojnë që gjatë një udhëtimi në një sipërfaqe të thatë të frenoni lehtë për të larguar papastërtitë nga komponentët e frenimit. /Telegrafi/




