Disa muaj pasi kishte shpallur pavarësinë, Mali i Zi e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Por, 18 vjet më pas, disa komuna në shtetin fqinj kanë vendosur ta “çnjohin” pavarësinë e Kosovës.
Nisma kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nisi në maj të këtij viti. Komuna e parë që miratoi një vendim të tillë ishte ajo e Zetës. Pas saj, ditë më parë, edhe Komuna e Plevlës doli me një vendim të ngjashëm. Por një veprim të tillë po e kundërshton Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Në një përgjigje për Tëvë1, nga kjo ministri kanë thënë se komunat nuk kanë kompetenca të tilla diplomatike.

“Lidhur me vendimet e miratuara nga disa kuvende komunale në lidhje me njohjen e Republikës së Kosovës, dëshirojmë të nënvizojmë se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë as kompetencë kushtetuese dhe as ligjore në fushën e politikës së jashtme dhe nuk janë të autorizuara të miratojnë akte që prodhojnë ndonjë efekt sipas ligjit ndërkombëtar. Vendimet e miratuara nga kuvendet komunale nuk mund të ndikojnë në pozicionin ndërkombëtar të Malit të Zi, të ndryshojnë detyrimet e tij ndërkombëtare ose politikën e jashtme të përcaktuar nga shteti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Në përgjigje thuhet gjithashtu se Mali i Zi do të vazhdojë ta mbështesë pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe nisma ndërkombëtare e rajonale.
Por cilat janë arsyet që kanë çuar këto komuna në marrjen e këtyre vendimeve?
“Sikurse dihet, aty dominojnë partitë proserbe dhe proruse, të cilat në këtë formë tentojnë ta mobilizojnë elektoratin e tyre, pasi së shpejti në Mal të Zi do të zhvillohen zgjedhje jo vetëm për pushtetin lokal, por edhe për atë qendror. Kjo është një lojë politike, e cila synon që përmes çështjes së Kosovës të fitohet mbështetja e elektoratit serb dhe të sigurohet dominimi në skenën politike”, vlerëson Ali Salaj, analist.
Sipas analistit politik në Mal të Zi, edhe dy komuna të tjera kanë pasur në plan të ndërmarrin një veprim të ngjashëm.
“Në plan ka qenë që edhe Herceg Novi dhe Tivati, dy qytete bregdetare, të ndërmarrin një veprim të tillë. Megjithatë, siç duket, vërejtjet e Bashkimit Evropian kanë ndikuar që ata të ndalen dhe të mendojnë nëse duhet të vazhdojnë më tej”, ka thënë Salaj.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi kanë kërkuar nga të gjithë bartësit e funksioneve publike që të respektojnë rendin kushtetues dhe të shmangin krijimin e tensioneve të panevojshme politike.





