Një burrë në Rusi pati një surprizë të pakëndshme pasi porositi online një kartë grafike të shtrenjtë RTX 5070 Ti, por paketa që i mbërriti nuk përmbante atë që kishte blerë.
Në vend të pajisjes së avancuar për kompjuter, brenda kutisë ai gjeti vetëm një shishe ujë.

Blerësi kishte porositur kartën grafike në platformën Wildberries, duke pritur të merrte një nga komponentët më të kërkuar për kompjuterë të fuqishëm dhe lojëra elektronike. Megjithatë, kur hapi paketën, zbuloi se përmbajtja nuk kishte asnjë lidhje me porosinë e tij.
Rasti është bërë viral në rrjetet sociale, ku përdoruesit e kanë komentuar me humor si një nga dështimet më të pazakonta të blerjeve online.
Nuk është bërë e ditur nëse platforma apo shitësi kanë ofruar zëvendësim ose rimbursim për klientin. /Telegrafi/





