Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, Action for Mothers and Children, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK dhe Institute of Southeast Europe for Health and Social Policy (IEJL-PShS) shprehin shqetësimin për rritjen e rasteve me fruth në Kosovë dhe u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin në kohë të fëmijëve, si një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë periudhës 16 prill – 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, prej të cilave 27 janë regjistruar gjatë javës së fundit.
“Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë ndërlikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Këto të dhëna rikujtojnë rëndësinë e vaksinimit në kohë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e përhapjes së sëmundjes”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se programi i vaksinimit të fëmijëve në Kosovë përfaqëson një arritje të rëndësishme të shëndetit publik, të mundësuar falë angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve shëndetësore, profesionistëve, komunave, prindërve dhe partnerëve të tjerë.
“Megjithatë, rënia e mbulueshmërisë me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), nga 95% në vitin 2019 në 89% në vitin 2024 dhe 82% në vitin 2025, thekson rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim. KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS u bëjnë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë marrjen e të gjitha dozave të rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara, inkurajohen të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues”.
Në njoftim thuhet se profesionistët shëndetësorë janë ndër burimet më të besueshme të informacionit dhe këshillimit për prindërit dhe familjet.
“Prandaj, është e rëndësishme që pyetjet dhe shqetësimet e prindërve lidhur me vaksinimin të trajtohen përmes komunikimit të hapur, të respektueshëm dhe informacionit të bazuar në dëshmi shkencore. Në këtë drejtim, vlerësimi më i fundit i OBSH-së, i publikuar në shtator 2026, rikonfirmon se dëshmitë shkencore nuk mbështesin ekzistencën e një lidhjeje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/