GJKKO sekuestron pasuritë e pesë të akuzuarve për trafik droge, bllokohen banesa, vetura dhe llogari bankare

Nacionale

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për vendosjen e masës së sekuestros ndaj një sërë pasurish të personave të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi prek pasuritë e shtetasve Eridan Munoz Guerreo, Deljana […]

Madhësia e shkronjave

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për vendosjen e masës së sekuestros ndaj një sërë pasurish të personave të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Vendimi prek pasuritë e shtetasve Eridan Munoz Guerreo, Deljana Nebiu, Sokol Çamer, Julian Veliu dhe Lenkos Nebiu, si dhe të disa personave të tretë me inicialet S.C., L.V. dhe A.N., të cilët rezultojnë të lidhur me pasuritë objekt hetimi.

Sipas vendimit të Gjykatës, në favor të shtetit kalojnë një numër i konsiderueshëm pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat dyshohet se janë krijuar ose përfituar nga aktiviteti kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara janë disa apartamente në pronësi të Deljana Nebiut, të blera në vitin 2015 në qytetin e Vlorës, me vlera që variojnë nga 15 mijë deri në 30 mijë euro. Gjithashtu është sekuestruar edhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 75 metra katrorë, e cila sipas dokumentacionit rezulton t’i jetë dhuruar Deljana Nebiut nga një kompani ndërtimi si shpërblim për shërbime të kryera. Po ashtu është konfiskuar edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 127.23 metra katrorë, i cili ishte përfituar përmes një kontrate dhurimi.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen edhe një apartament dhe një njësi shërbimi në pronësi të Eridan R. Nebiut, si dhe dy prona të përbëra nga truall dhe banesë njëkatëshe në emër të bashkëshortëve Eridan R. Çameri/Nebiu dhe Deljana V. Nebiu.

Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e një tjetër prone me truall dhe banesë në emër të bashkëshortëve Sokol Çamer dhe S.Sh.Ç, si dhe një prone të ngjashme në emër të Julian Veliut dhe L.K.V.

Për Sokol Çamer janë sekuestruar edhe katër pasuri të tjera në Vlorë, konkretisht dy apartamente, një garazh dhe një depo, të cilat rezultojnë të jenë përfituar përmes kontratave të dhurimit. Në listën e pasurive të bllokuara përfshihet edhe një rimorkio e importuar nga Italia.

Nga ana tjetër, është vendosur sekuestrimi edhe ndaj një automjeti luksoz tip “Audi A8”, në pronësi të A.V.N., si dhe ndaj disa llogarive bankare në emër të Deljana Nebiut dhe Julian Veliut, të cilat ishin sekuestruar më herët në kuadër të ekzekutimit të letërporosive të autoriteteve gjyqësore belge.

Sipas dokumentacionit, në llogaritë bankare rezultojnë gjendje prej mbi 3.1 milionë lekësh, mbi 5 mijë euro dhe disa llogari të tjera me mijëra euro.

Ndërkohë, GJKKO ka vendosur të revokojë masën e sekuestros për disa pasuri të tjera, pasi ka vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për mbajtjen e tyre nën sekuestro.

Mes pasurive për të cilat është hequr masa janë dy apartamente në Vlorë, një automjet “Mercedes-Benz” në pronësi të shtetases A.N., një automjet “Ford Mustang” në pronësi të Sokol Çamerit, si dhe një apartament tjetër i blerë në vitin 2022.

SPAK kishte kërkuar sekuestrimin dhe konfiskimin e këtyre pasurive në kuadër të hetimit pasuror ndaj personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke lënë në fuqi sekuestron për një pjesë të konsiderueshme të pasurive dhe duke revokuar masën për disa të tjera.