Bayern Munichu nuk ka ndërmend të heqë dorë nga yjet e krahut, Luis Diaz dhe Michael Olise, pavarësisht zërave për interesime nga klubet e tjera.
Drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, ka hedhur poshtë spekulimet për një largim të dy sulmuesve, duke insistuar se të dy do të jenë pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm.
Olise, i cili shkëlqeu me Francën në Kupën e Botës, është lidhur së fundmi me një transferim te Real Madridi, ndërsa Diaz është përfolur për një ofertë të madhe nga Arabia Saudite.
Megjithatë, Dreesen ka bërë të qartë se nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar.
“Është befasuese të shohësh çfarë thuhet kur ti e di të vërtetën. Është interesante”, deklaroi ai.
Për Olisen, drejtuesi i Bayernit ishte i prerë: “Ai padyshim do të jetë te Bayern sezonin e ardhshëm. Nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Real Madridi, asnjë letër, faks apo email”.
Edhe për Luis Diazin, mesazhi ishte i njëjtë.
“E njëjta gjë vlen edhe aty: asnjë telefonatë, asgjë tjetër. Do të ishim budallenj nëse do ta lejonim të largohej. Kemi një skuadër shumë të mirë, le t’i lëmë të luajnë dhe të shënojnë gola”.
Diaz dhe Olise janë nën kontratë me Bayernin deri në vitin 2029, ndërsa klubi synon të vazhdojë të ndërtojë skuadrën rreth tyre.
Dreesen foli edhe për të ardhmen e Harry Kane, duke shprehur optimizëm se kapiteni i Anglisë do të rinovojë kontratën, e cila skadon në fund të sezonit të ardhshëm.
“Ka një dëshirë të madhe nga të dyja palët për të vazhduar. Duhet të shohim se si do të përputhet kjo dëshirë”, tha ai.
Kane, i cili mbushi 33 vjeç, pati një sezon të jashtëzakonshëm me Bayernin, duke shënuar 61 gola dhe duke dhuruar 7 asistime në 51 paraqitje në të gjitha garat./Telegrafi/






