Presidenti, mes ujdisë e zgjedhjeve

Nacionale

Zgjedhja e kreut të shtetit mbetet ende një çështje e hapur për shkak të ngatërresave dhe mospajtimeve mes partive kryesore politike në vend, duke mbajtur pezull edhe formimin e institucioneve të reja. Kryediplomati, Glauk Konjufca sheh gatishmëri te Lidhja Demokratike për një emër konsensual, megjithëkëtë insistimi i Partisë Demokratike për ta marrë këtë pozitë dhe […]

Madhësia e shkronjave

Zgjedhja e kreut të shtetit mbetet ende një çështje e hapur për shkak të ngatërresave dhe mospajtimeve mes partive kryesore politike në vend, duke mbajtur pezull edhe formimin e institucioneve të reja.

Kryediplomati, Glauk Konjufca sheh gatishmëri te Lidhja Demokratike për një emër konsensual, megjithëkëtë insistimi i Partisë Demokratike për ta marrë këtë pozitë dhe përçarjet e brendshme brenda LDK-së e bëjnë të pasigurt një marrëveshje përfundimtare. Njohës të fushës bëjnë thirrje për një kompromis politik, në mënyrë që Kosova ta shmangë një tjetër proces zgjedhor dhe pasojat e mungesës së institucioneve funksionale.

Marrëveshjet për postin e kreut të shtetit vazhdojnë ta ndajnë spektrin politik në vend. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, vlerëson se një marrëveshje për çështjen e presidentit është më e mundshme me Lidhjen Demokratike, duke theksuar se Partia demokratike po bllokon procesin me insistimin për postin. Në këtë kontekst, Konjufca bëri të ditur se LDK-ja është treguar më e hapur për bashkëpunim rreth një emri konsensual, duke lënë PDK-në në pozicione të ngurta.

“PDK është në pozicion i njëjtë mendojnë se presidenti duhet të jetë i PDK. LDK ka dhënë qëndrim se mund të ketë bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit që do të mund të ishte reprezentativ për të gjithë”, tha Konjufca.

Duke përshëndetur qëndrimin konstruktiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryediplomati Konjufca u shpreh optimist se me gjithë dallimet, subjektet politike do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjatja e kësaj krize dhe mungesa e institucioneve plotësisht funksionale po e dëmtojnë rëndë Kosovën, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Megjithatë, njohësit e rrethanave politike mbeten më skeptikë. Sipas tyre, përçarjet e brendshme brenda Lidhjes Demokratike lënë në dyshim nëse ky subjekt mund të ndërtojë një konsensus të brendshëm për një marrëveshje finale me Vetëvendosjen. Analistët tërheqin vërejtjen se spektri politik duhet të arrijë një ujdi të shpejtë, në mënyrë që Kosova të mos dëmtohet ekonomikisht dhe politikisht nga një tjetër cikël i parakohshëm zgjedhor.

“Është mirë që LVV ti kthej sytë nga subjektet tjera, të merret me 6 pikëshin e Aleancës dhe të merret edhe PDK për ta bindur, ose të lëshoj pe karshi PDK nëse ka kushte, sepse me LDK nuk do të ketë president që do ti ketë 80 numra”, theksoi Sadik Zeqiri, njohës i politikës.

“Uroj që të kemi një epilog tjetër dhe të kemi një pjekuri politike. Kosova e ka të domosdoshme të kaloj këtë fazën e krijimit të institucioneve”, pohoi Fatime Hajdari, njohëse e zhvillimeve politike.

Pavarësisht se optimizmi për një zgjidhje politike ekziston, ditët në vijim do të jenë përcaktuese nëse partitë do të arrijnë të gjejnë një emër konsensual apo nëse Kosova do të futet në një tjetër cikël zgjedhor./RTK