Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.
Takimi u zhvillua pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve dhe një deklarate synimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, të cilat u nënshkruan gjatë ditës.

Kurti i uroi mirëseardhje ministrit Haddad dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ai e cilësoi vizitën si vazhdimësi të takimit të punës me presidentin francez Emmanuel Macron, të zhvilluar më 17 mars në Pallatin Elize, si dhe të angazhimit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti tha se nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratës në fushën e sportit, drejtësisë dhe arsimit përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës.
Gjatë takimit, Kurti ka vlerësuar rëndësinë e marrëveshjes administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, ndërsa ka theksuar mbështetjen e Francës në zhvillimin e infrastrukturës dhe ofrimin e ekspertizës për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë.
Po ashtu, ai ka vlerësuar si të rëndësishme marrëveshjet për ekstradim dhe bashkëpunim të ndërsjellë juridik në çështjet penale, duke i cilësuar ato të rëndësishme për administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorë të tjerë, si dhe për proceset integruese euro-atlantike dhe rëndësinë e mbështetjes së Francës.
Kurti ka përmendur gjithashtu rritjen e qëndrueshme ekonomike, sundimin e ligjit, liritë civile dhe të drejtat e njeriut, si dhe forcimin e institucioneve demokratike.





