Gjatë një festivali në Berlin një islamist sulmoi të shtunën në mbrëmje me veturë turmën e njerëzve. Me atë rast vdiq një grua, 16 veta u lënduan rëndë. Ky nuk është rasti i vetëm i terrorit islamist në Gjermani. Që nga viti 2011 janë vrarë mbi 20 persona të pafajshëm. Në dy raste kanë qenë të involvuar edhe dy kosovarë: Arid U., i cili ka vrarë dy ushtarë amerikanë në Frankfurt (më 2011), dhe Erjon S., i cili ka goditur me thikë tre persona në Essen më 2025.
Policia gjermane është duke e kërkuar urgjentisht Abdul B., i cili dyshohet se të shtunën rreth orës 22:00 sulmoi me veturë dhjetëra njerëz në Berlin gjatë një festivali. Një grua vdiq si pasojë e sulmit, 16 persona të tjerë u lënduan, tre prej tyre rëndë dhe janë në rrezik për jetën. Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit dhe ka njoftuar se ai i përkiste skenës islamiste të Berlinit. Ekzistojnë dyshime se disa njerëz janë lënduar edhe me mjete të forta. Deri së fundi Abdul B. ishte në burg.
Kancelari gjerman Friedrich Merz u prononcua në rrjetin X lidhur me terrorin në CSD (Christopher Street Day). „Çfarë vepre e neveritshme në Berlin. Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota po festonin në mënyrë paqësore gjatë Christopher Street Day. Ata donin që ne të sillemi mirë dhe me tolerancë me njëri-tjetrin. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë“, u shpreh Merz. Kancelari vijoi më tej: „Ne jemi të hapur dhe e duam lirinë – dhe këtë do ta ruajmë e do ta mbrojmë. Vepra do të zbardhet dhe do të ndiqet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Mendimet e mia janë me të prekurit dhe të afërmit e tyre. U uroj të plagosurve shërim të shpejtë dhe falënderoj të gjitha forcat e ndërhyrjes“.
Ky nuk është rasti i vetëm i terrorit islamist në Gjermani. Që nga viti 2011 janë vrarë mbi 20 persona të pafajshëm. Në dy raste kanë qenë të involvuar edhe dy kosovarë: Arid U., i cili ka vrarë dy ushtarë amerikanë në Frankfurt (më 2011), dhe Erjon S., i cili ka goditur me thikë tre persona në Essen më 2025.
Më 2 mars 2011 në Frankfurt am Main, terroristi i radikalizuar nga propaganda xhihadiste në internet, Arid U., kreu sulmin e parë islamist me viktima në Gjermani duke qëlluar për vdekje dy ushtarë amerikanë në aeroport dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë. Arid U. është me origjinë nga Kosova. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Më 18 korrik 2016 në Würzburg, një 17-vjeçar i cili ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me anëtarë të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (IS) dhe u kishte premtuar krerëve të saj besnikëri në një video, plagosi rëndë katër persona me sëpatë dhe thikë në një tren rajonal.
Më 24 korrik 2016 në Ansbach, një tjetër sulmues që mbante kontakte me IS dhe u kishte betuar besnikëri me video, hodhi veten në erë përpara një festivali muzikor duke mbetur i vdekur dhe duke plagosur 15 persona të tjerë.
Më 19 dhjetor 2016 në Berlin, tuniziani Anis Amri me lidhje të drejtpërdrejta me rrjetin e IS kreu një nga sulmet më të rënda duke drejtuar një kamion të vjedhur mes tregut të Krishtlindjeve në Breitscheidplatz në Berlin, ku mori jetën e 13 personave dhe plagosi rëndë dhjetëra të tjerë.
Më 28 korrik 2022 në Hamburg, islamisti Ahmad A. ndërmori një sulm xhihadist me thikë në një supermarket, ku vrau një person dhe plagosi një tjetër.
Më 31 maj 2024 në Mannheim, Sulaiman A. veproi i shtyrë nga motivet islamiste dhe sulmoi me thikë një tubim publik ku vrau një polic dhe plagosi pesë persona të tjerë.
Më 23 gusht 2024 në Solingen, sulmuesi sirian Isa Al H. kreu një sulm me thikë gjatë një feste qyteti që la tre të vdekur e tetë të plagosur, vepër për të cilën përgjegjësinë e mori zyrtarisht i ashtuquajturi “Shteti Islamik”.
Më 5 shtator 2025 në Essen, i riu kosovar Erjon S., i armatosur me material propagandistik dhe i motivuar nga ideologjia xhihadiste kundër “jobesimtarëve”, sulmoi me thikë tre persona afër Sinagogës së Vjetër, të cilët fatmirësisht u mbijetuan plagëve të rënda. Erjon S. goditi me thikë edhe mësuesen e tij. Ai akuzohet për vrasje. Procesi gjyqësor është duke u zhvilluar.






