Pse përjashtimi i Embolos ishte i saktë dhe si funksionoi rregulli i ri i VAR-it për “identitetin e gabuar” – ndodhi edhe një herë këtë botëror

Sport

Një nga momentet më të diskutueshme të çerekfinales mes Argjentinës dhe Zvicrës ishte përjashtimi i sulmuesit zviceran Breel Embolo, i cili erdhi pas një interpretimi të rregullit të ri të VAR-it për “identitetin e gabuar”. Argjentina e fitoi ndeshjen me rezultat 3-1 pas vazhdimeve, por një nga pikat kyçe të takimit ishte kartoni i kuq […]

Madhësia e shkronjave

Një nga momentet më të diskutueshme të çerekfinales mes Argjentinës dhe Zvicrës ishte përjashtimi i sulmuesit zviceran Breel Embolo, i cili erdhi pas një interpretimi të rregullit të ri të VAR-it për “identitetin e gabuar”.

Argjentina e fitoi ndeshjen me rezultat 3-1 pas vazhdimeve, por një nga pikat kyçe të takimit ishte kartoni i kuq i Embolos në minutën e 72-të, që e la Zvicrën me një lojtar më pak për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Fillimisht, gjyqtari portugez Joao Pinheiro akordoi faull në favor të Embolos dhe ndëshkoi me karton të verdhë Leandro Paredes, duke vlerësuar se mesfushori argjentinas kishte kryer ndërhyrje të parregullt.

Megjithatë, pas një komunikimi nga dhoma e VAR-it, Pinheiro u ftua të rishikonte aksionin në monitor. Pas pamjeve televizive, ai arriti në përfundimin se nuk kishte pasur faull ndaj Embolos. Përkundrazi, sulmuesi zviceran kishte tentuar të mashtronte gjyqtarin duke simuluar kontaktin.

Si rezultat, gjyqtari anuloi kartonin e verdhë të dhënë për Paredes dhe ia akordoi atë Embolos për simulim. Meqenëse sulmuesi zviceran ishte ndëshkuar më parë me karton të verdhë në minutën e 44-të, ky ishte paralajmërimi i dytë dhe automatikisht u shndërrua në karton të kuq.

Çfarë është rregulli i “identitetit të gabuar”?

Edhe më parë VAR kishte të drejtë të ndërhynte në raste të “identitetit të gabuar”, por kjo vlente vetëm kur gjyqtari ndëshkonte gabimisht një lojtar të së njëjtës skuadër në vend të autorit të shkeljes.

Në Kupën e Botës 2026, IFAB dhe FIFA kanë zgjeruar këtë rregull. Tashmë, nëse gjyqtari ndëshkon një lojtar, por pas rishikimit rezulton se shkelja është kryer nga një futbollist i ekipit kundërshtar, vendimi mund të korrigjohet.

Rregulli i ri përcakton: “Nëse një lojtar ndëshkohet ose përjashtohet dhe më pas konstatohet se shkelja është kryer nga një lojtar i skuadrës kundërshtare, vendimi mund të përmbyset dhe ndëshkimi t’i jepet lojtarit që e ka kryer realisht shkeljen”.

Pikërisht kjo ndodhi në ndeshjen Argjentinë–Zvicër. Paredes humbi kartonin e verdhë, ndërsa Embolo u ndëshkua për simulim dhe, për shkak se ishte paralajmëruar edhe më herët, u përjashtua nga loja.

Vendimi shkaktoi reagime të forta nga futbollisti zviceran. Fillimisht ai protestoi ndaj arbitrit, ndërsa pasi kuptoi se po largohej nga fusha me karton të kuq, u pa dukshëm i emocionuar dhe u largua në lot.

Nuk është hera e parë në këtë Botëror

Ky nuk është rasti i parë që rregulli i ri zbatohet në Kupën e Botës 2026. Ai u përdor për herë të parë në ndeshjen e fazës së grupeve mes SHBA-së dhe Paraguait.

Në atë takim, pas ndërhyrjes së VAR-it, kartoni i verdhë i dhënë për amerikanin Tim Ream u anulua, ndërsa Miguel Almirón u ndëshkua për simulim.

Ndryshe nga Embolo, Almirón nuk kishte një karton të mëparshëm, ndaj nuk u përjashtua.

Rasti i Embolos është, deri më tani, shembulli më i rëndësishëm i zbatimit të këtij rregulli të ri, pasi ndërhyrja e VAR-it ndryshoi jo vetëm autorin e ndëshkimit, por ndikoi drejtpërdrejt edhe në rrjedhën e ndeshjes, duke e lënë Zvicrën me dhjetë futbollistë në një moment vendimtar të çerekfinales. /Telegrafi/