Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune, 11 korrik, në Shkodër, ku një person është gjetur i pajetë brenda një automjeti në aksin rrugor Prekal–Kir.
Sipas policisë, rreth orës 19:00 është konstatuar në automjet, i vrarë me armë zjarri, shtetasi Aleksandër Koçeku.

Policia ka nisur kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
“Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aleksandër Koçeku ishte një emër i njohur për autoritetet, pasi ndodhej nën hetim për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re. Pas ekzekutimit të të riut pranë banesës së tij, Policia e Shkodrës arrestoi Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn, ndërsa Aleksandër Koçeku u vendos nën hetim për këtë ngjarje.
Pavlin Preka u vra me 6 plumba në oborrin e banesës tij. Sipas pistës kryesore të hetimit, konflikti që çoi në ngjarjen e rëndë lidhet me një çështje personale dhe kundërshtimin e familjarëve për një marrëdhënie që viktima kishte me vajzën e njërit prej të dyshuarve. Hetuesit po analizojnë edhe elementë të tjerë që mund të kenë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për fiksimin dhe administrimin e provave, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorit ose autorëve./RTSH





