Gjashtë në dhjetë izraelitë nuk e konsiderojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu si një person të besueshëm, sipas një sondazhi të realizuar nga Channel 12.
Sondazhi tregon se 60 për qind e izraelitëve nuk kanë besim tek kryeministri, ndërsa 38 për qind thonë se i besojnë atij, raporton timesofisrael.
Në të kundërt, shumica e të anketuarve (54 për qind) e shohin rivalin e tij kryesor, Gadi Eisenkot, si një figurë të besueshme ndërsa 29 për qind nuk kanë besim tek ai.
Ish-kryeministri Naftali Bennett, i cili gjithashtu kandidon për ta rrëzuar Netanyahun nga pushteti, shihet si i pabesueshëm nga 53 për qind e të anketuarve, ndërsa 41 për qind deklarojnë se i besojnë atij.
Sondazhi zbulon gjithashtu se pothuajse dy të tretat e izraelitëve thonë se vala e fundit e nismave ligjore të koalicionit të Netanyahut, përfshirë projektligjet që synojnë t’u lejojnë burrave haredi (hebrenjve ultra-ortodoksë) të vazhdojnë t’i shmangen shërbimit ushtarak, do të ndikojë në votën e tyre.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael pritet të mbahen jo më vonë se 27 tetor 2026, ku qytetarët do të zgjedhin 120 anëtarët e Knessetit (parlamentit izraelit). /Telegrafi/






