Arsenali është një nga klubet evropiane që po monitoron nga afër situatën e talentit meksikan, Gilberto Mora, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij në Kupën e Botës.
Sipas The Sun, mesfushori 17-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane pas një turneu të jashtëzakonshëm, ku fitoi një vend në formacionin bazë të kombëtares së Meksikës.
Mora, i cili është pjesë e Club Tijuana, u bë lojtari më i ri në historinë e Meksikës që ka luajtur në një Kupë Bote, duke shkruar emrin e tij në rekordet e futbollit të vendit.
Talenti i ri konsiderohet si një nga futbollistët më premtues që ka prodhuar Meksika në vitet e fundit dhe paraqitjet e tij në skenën më të madhe kanë rritur ndjeshëm interesimin nga klubet evropiane.
Përveç Arsenalit, edhe disa skuadra të tjera janë duke e vëzhguar zhvillimin e mesfushorit, i cili shihet si një investim për të ardhmen.
Megjithatë, një transferim në Angli nuk mund të ndodhë gjatë këtij afati kalimtar, pasi Mora do të mbushë vetëm 18 vjeç në tetor, ndërsa rregullat aktuale nuk lejojnë kalimin e tij në Premier League para kësaj moshe.
Me potencialin që ka treguar dhe paraqitjet në Kupën e Botës, Gilberto Mora pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në vitet e ardhshme. /Telegrafi/






