Nga: Joseph Epstein, Director of the Turan Research Center and Senior Fellow at the Yorktown Institute / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com
“[Izraelitët] janë bërë një barrë të cilën njerëzimi nuk mund ta përballojë më”. Këtë nuk e tha një ajatollah iranian, një zëdhënës i Hamasit, madje as një profesor i Universitetit të Kolumbias. E tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan – duke përfaqësuar ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s – në televizionin turk javën e kaluar. Ministri i Jashtëm i Izraelit e quajti këtë një nxitje klasike ndaj gjenocidit. Në të njëjtën intervistë, Fidani tha se Ankaraja “nuk ka asnjë problem me ballafaqimin, nëse vjen puna deri aty”.
Kjo nuk është më retorikë pa pasoja. Që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit, forcat turke dhe izraelite kanë operuar në afërsi të njëra-tjetrës në Siri – dy vendet tani ndajnë në mënyrë efektive një kufi atje. Në vitin 2025, u raportua se aeroplanët turq F-16 dhe aeroplanët izraelitë patën kontakt të drejtpërdrejtë në hapësirën ajrore siriane gjatë një sulmi izraelit, gjë që nxiti bisedime urgjente për një mekanizëm të shmangies së konflikteve – ndonëse Turqia e mohoi se kjo kishte ndodhur. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka quajtur sionizmin një kërcënim ekzistencial për Turqinë dhe ka pohuar se operacionet izraelite në Siri dhe Liban e rrezikojnë vendin e tij. Ministri i tij i Brendshëm u zotua, muajin e kaluar, se Turqia një ditë do ta rimarrë Jerusalemin.
Presidenti Donald Trump, në përgjithësi, e ka minimizuar rrezikun, duke iu referuar marrëdhënies së tij personale me Erdoğanin. Ajo marrëdhënie është reale dhe mund të funksionojë për momentin. Por, nuk është politikë menaxhimi i një kursi përplasjeje midis dy partnerëve të Shteteve të Bashkuara – të armatosur rëndë – përmes marrëdhënieve personale të një njeriu të vetëm. Është bast, vlefshmëria e të cilit skadon, më së voni, në janar të vitit 2029.

Shtetet e Bashkuara kanë dy mjete që nuk po i përdorin plotësisht. I pari është ndikimi mbi Ankaranë dhe ai rrallëherë ka qenë më i madh. Javën e kaluar, administrata njoftoi Kongresin për një shitje me vlerë mbi 700 milionë dollarë të motorëve General Electric F110 për të fuqizuar aeroplanin luftarak vendas turk KAAN – motorë pa të cilët prodhimi fillestar i programit do të ngecte. Njoftimi u bë përpara samitit të NATO-s të cilin Erdoğani e mirëpriti në Ankara më 7–8 korrik dhe administrata, veçmas, po shqyrton nëse Turqia mund të rikthehet në programin F-35 – nga i cili u përjashtua në vitin 2019 për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400. Trumpi ka premtuar se do të “bëjë diçka që do t’i bëjë ata shumë të lumtur”.
Këto janë pikërisht nxitjet që Ankaraja dëshiron më shumë dhe ato duhet të shoqërohen me një kusht: ulje të matshme të tensioneve ndaj Izraelit. Kjo nënkupton ruajtjen dhe forcimin e kanalit të koordinimit ushtarak në Siri, për shmangien e incidenteve, dhënien fund thirrjeve zyrtare për izolimin ose shkatërrimin e Izraelit dhe përmbajtjen nga dislokimet ushtarake – si vendosja e sistemeve të mbrojtjes ajrore në bazat në Sirinë qendrore, të cilat Jerusalemi i ka identifikuar si vija të kuqe. Një aleat i NATO-s që kërkon motorë amerikanë për aeroplanët e tij luftarakë nuk duhet, njëkohësisht, të kërcënojë me luftë partnerin më të afërt të Amerikës në Lindjen e Mesme. Kongresi, i cili ka 15 ditë për të shqyrtuar njoftimin për motorët, është në pozitën e duhur për ta thënë këtë.
Mjeti i dytë është Azerbajxhani. Bakuja është kryeqyteti i rrallë që gëzon besimin si në Ankara, ashtu edhe në Jerusalem. Ai është partneri më i afërt i Izraelit në botën myslimane – një furnizues i rëndësishëm i naftës për Izraelin dhe një blerës i madh i armëve të tij – ndërsa lidhja e tij me Turqinë përmblidhet në formulën “një komb, dy shtete”. Këtë pozitë Azerbajxhani e ka shndërruar edhe më parë në rezultate.
Presidenti Ilham Aliyev ka deklaruar se Azerbajxhani ishte forca kryesore prapa skenës në pajtimin turko-izraelit të vitit 2022, i cili solli presidentin e Izraelit në Ankara. Kur vitin e kaluar u pretendua se dy ushtritë pothuajse u përplasën në Siri, Bakuja priti raunde të njëpasnjëshme bisedimesh – me delegacionin izraelit të udhëhequr nga këshilltari i tij për sigurinë kombëtare – të cilat çuan në krijimin e një linje të drejtpërdrejtë të komunikimit funksional midis dy forcave të armatosura. Që atëherë, Azerbajxhani ka lehtësuar kontaktet midis Izraelit dhe qeverisë së re të Sirisë, duke zgjeruar një rol të kahershëm si urë diskrete ndërmjet Jerusalemit dhe botës myslimane.
Një përpjekje serioze amerikane do ta institucionalizonte këtë: mbështetje amerikane për bisedimet e organizuara nga Azerbajxhani, me synim që linja e komunikimit për Sirinë të zgjerohet në një mekanizëm të përhershëm që do të mbulonte operacionet ajrore, dislokimet tokësore dhe koordinimin e inteligjencës për shmangien e incidenteve. Uashingtoni duhet gjithashtu të përmbyllë një çështje të mbetur pezull me vetë Bakunë. Neni 907 i Aktit për Mbështetjen e Lirisë i vitit 1992, i cili kufizon ndihmën amerikane për Azerbajxhanin, është një relike e Luftës së Ftohtë zbatimin e së cilës Trumpi e pezulloi në gusht të vitit 2025; shfuqizimi i tij i plotë, siç propozon legjislacioni që ndodhet aktualisht para Dhomës së Përfaqësuesve, do ta konsolidonte partnerin që kërkon kjo diplomaci.
Skeptikët do të kundërshtojnë se armiqësia e Erdoğanit është teatër politik për konsum të brendshëm dhe se do të marrë fund bashkë me të. Historia tregon të kundërtën. Kur Turqia ndërpreu tregtinë vjetore me Izraelin, me vlerë rreth 9.5 miliardë dollarë – në maj të vitit 2024 – shkaku nuk ishte një operacion izraelit, por humbjet në zgjedhjet vendore që dobësuan partinë e Erdoğanit në favor të rivalëve islamistë. Megjithatë, ky qëndrim tashmë shkon shumë përtej koalicionit të tij.
Sipas PEW-it, më shumë se 97 për qind e turqve kanë një qëndrim të pafavorshëm ndaj Izraelit – përqindja më e lartë nga të gjitha vendet e përfshira në studim – dhe, madje edhe Partia Popullore Republikane, kujdestarja laike e trashëgimisë së Ataturkut, e kritikon Erdoğanin se nuk është mjaftueshëm i ashpër ndaj Izraelit. Armiqësia ndaj shtetit hebre është shndërruar në një populizëm ndërpartiak. Ajo do t’i mbijetojë presidentit 72-vjeçar dhe armiqësia ndaj aleatit të Amerikës rrallëherë mbetet e kufizuar vetëm ndaj atij aleati.
Asgjë nga kjo nuk i shërben interesave të Turqisë. Izraeli nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Turqisë dhe nuk kërkon asgjë përtej zonës tampon në kufirin e tij me Sirinë. Një përballje do ta vinte Turqinë në rrugën e Iranit – drejt izolimit dhe rrënimit ekonomik dhe do t’i sillte Moskës dhe Teheranit një fitim strategjik. Alternativa ekziston: asnjëri prej dy vendeve nuk dëshiron një Iran të ringritur, të dy i vlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Amerikën dhe të dy armatosën të njëjtën palë kur Azerbajxhani rimori Karabakun në vitin 2020.
Turqia ka rëndësi tepër të madhe për t’u humbur në një luftë të panevojshme. Ajo është i vetmi aleat i Shteteve të Bashkuara, përveç Izraelit, që është në gjendje të projektojë fuqi përtej kufijve të saj dhe pozita e saj gjeografike është themeli i Korridorit të Mesëm që lidh Evropën me Azinë – duke anashkaluar Rusinë dhe Iranin. Trumpi i ka mjetet nxitëse; Bakuja e ka besimin. Të përdorura së bashku, dhe shpejt, ato mund t’i mbajnë dy partnerët amerikanë larg një lufte nga e cila do të përfitonin vetëm armiqtë e tyre të përbashkët. /Telegrafi/




