Ministrja në detyrë e Kulturës dhe e Turizmit, Saranda Bogujevci, ka vizituar Panairin e Librit Shqip “Presheva 2026”, i cili këtë vit u organizua me moton “Libri dhe Tradita”.
Gjatë vizitës në Preshevë, Bogujevci u njoh me aktivitetet e panairit, ku ishin të pranishëm botues, autorë dhe lexues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, duke prezantuar krijimtarinë letrare dhe botimet më të reja.

Ajo vlerësoi rolin e librit në ruajtjen e kujtesës kulturore dhe në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve përmes gjuhës, letërsisë dhe traditës.
“Libri është urë që na afron, ruan kujtesën tonë kulturore dhe forcon lidhjet tona përmes gjuhës dhe traditës”, theksoi Bogujevci.
Gjatë qëndrimit në Preshevë, Bogujevci vizitoi edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, ku u prit nga kryetari Enkel Rexhepi. Ajo u informua për punën dhe angazhimin e këtij institucioni në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, identitetit dhe traditave shqiptare.





