Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se nuk beson se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të ishte i gatshëm të udhëtonte në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Gjatë një bisede publike, Trump iu drejtua më pas vetë Zelenskyt me pyetjen nëse do të pranonte të zhvillonte bisedime me Putinin në kryeqytetin rus.
Presidenti ukrainas iu përgjigj me humor, por duke iu referuar situatës së sigurisë, se një vizitë e tillë do të ishte e vështirë.
“Është e vështirë. Ka shumë dronë ukrainas atje”, tha Zelensky, duke aluduar për sulmet e shpeshta me dronë që Ukraina ka kryer ndaj objektivave në Moskë dhe rrethinën e saj.
Trump u pajtua me këtë vlerësim, duke reaguar shkurt “kjo është e vërtetë. Është e vështirë të shkosh në Moskë”.
Shkëmbimi i komenteve vjen në një kohë kur vazhdojnë diskutimet ndërkombëtare për mundësinë e rifillimit të negociatave të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon pa shenja të një zgjidhjeje të afërt. /Telegrafi/






