“Jeni pikërisht në kohë sepse duhet të shkoj edhe vetë. Kjo ndërtesë, shumë banorë të saj tani po zhvendosen në Ankara”.
NATO ka publikuar në rrjete sociale një video ku Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, thekson prioritetet kryesore para samitit që do të mbahet në Ankara të Turqisë të martën dhe të mërkurën, më 7 dhe 8 Korrik.
Rutte u shpreh se samiti do të përqendrohet kryesisht te zbatimi i angazhimeve të marra më herët.
“Ne bëmë shumë në Hagë vitin e kaluar, por tani duhet t’i zbatojmë ato vendime. Kjo do të thotë plane të besueshme shpenzimesh dhe të sigurohemi që të gjitha vendet janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin prej 5%”, deklaroi ai.
Rutte theksoi gjithashtu zhvillimet pozitive në industrinë e mbrojtjes, duke shtuar se vendet anëtare po rrisin kapacitetet prodhuese.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve, sipas tij, do të jetë edhe Ukraina.
“Duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbetur sa më e fortë në luftë dhe për të qenë në pozicionin më të mirë të mundshëm kur të fillojnë negociatat e paqes”, deklaroi shefi i NATO-s.
Ai shtoi se samiti në Ankara do të fokusohet në “ofrimin e rezultateve konkrete”, përpara se të përfundonte mesazhin e tij dhe të nisej drejt Turqisë. /Telegrafi/






