Specialisti i mjekësisë familjare dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka vlerësuar rolin e infermierëve në sistemin shëndetësor, duke theksuar se ata janë kontakti i parë i pacientit me institucionin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në besimin që qytetarët krijojnë ndaj shërbimeve shëndetësore.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital Gashi tha se megjithëse sot ushtron profesionin e mjekut dhe mban pozita menaxheriale, puna si infermier mbetet përvoja që e ka formësuar më së shumti profesionalisht.
“Puna e infermierit është puna të cilën e kam bërë të parën dhe është baza e mjekësisë. Është një profesion që nuk zbehet asnjëherë nga memoria ime dhe që meriton mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh ai.
Sipas Gashit, infermieri është personi i parë që takon pacientin, pavarësisht nëse ai kërkon shërbim në kujdesin parësor, dytësor apo tretësor.

“Infermieri është afërsia ose kontakti i parë me pacientin. Ai krijon përshtypjen e parë për personelin, për institucionin dhe, në fund, për gjithë shëndetësinë në vend”, tha Gashi.
Ai theksoi se, që nga koha kur ka marrë përgjegjësi menaxheriale, një nga prioritetet e tij ka qenë ndryshimi i mënyrës së pritjes dhe komunikimit me qytetarët në institucionet shëndetësore.
“Kemi punuar shumë që përshtypja e parë të jetë pozitive. Kur pacienti vjen në recepsion apo në sportel, së paku duhet të marrë një përshëndetje dhe një mikpritje të ngrohtë, edhe në rastet kur shërbimi që kërkon nuk mund të ofrohet në atë institucion”, deklaroi ai.
Gashi zbuloi se ka kërkuar vazhdimisht nga stafi që të shmangë një pyetje që, sipas tij, krijonte pakënaqësi te qytetarët.
“Jam munduar për vite me radhë ta largoj nga fjalori pyetjen ‘Ku banoni?’ si pyetjen e parë që i bëhet pacientit. Fillimisht duhet të ketë mirëseardhje, komunikim dhe orientim, e jo ndjenja se qytetari po refuzohet”, u shpreh ai.
Ai tha se ndryshimi i kulturës së komunikimit ka dhënë rezultate konkrete edhe në vlerësimet e qytetarëve.
“Sot, kur hapim kutitë e sugjerimeve dhe ankesave, mbi 90 për qind e mesazheve janë falënderime. Kjo tregon se mënyra e komunikimit dhe mikpritja kanë ndryshuar dhe qytetarët e vlerësojnë këtë”, theksoi Gashi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com





