“Jemi luftëtarë me zemër të madhe”, Vozinha dhe Kepi i Gjelbër të motivuar për duelin me Argjentinën

Sport

Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka shkruar histori në futbollin botëror, duke u bërë vendi më i vogël që arrin ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Pas një fushate mbresëlënëse në fazën e grupeve, ishullorët e Atlantikut kanë siguruar një përballje ëndrrash në raundin e 1/16-tës kundër kampiones në fuqi, Argjentinës, […]

Madhësia e shkronjave

Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka shkruar histori në futbollin botëror, duke u bërë vendi më i vogël që arrin ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Pas një fushate mbresëlënëse në fazën e grupeve, ishullorët e Atlantikut kanë siguruar një përballje ëndrrash në raundin e 1/16-tës kundër kampiones në fuqi, Argjentinës, dhe superyllit Lionel Messi.

Kepi i Gjelbër vulosi kualifikimin historik pas barazimit 0-0 ndaj Arabisë Saudite në Houston. Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët u mblodhën rreth një telefoni celular në fushë për të ndjekur sfidën mes Spanja dhe Uruguai.

Fitorja e spanjollëve konfirmoi Kepin e Gjelbër në vendin e dytë të Grupit H dhe siguroi një kualifikim historik.

Portieri dhe kapiteni 40-vjeçar, Vozinha, nuk e fshehu krenarinë për arritjen historike të skuadrës së tij dhe pranoi se përballja me Messin është një ëndërr për çdo futbollist.

“Askush nga ne nuk e kishte ëndërruar këtë, por gjithmonë kemi besuar te cilësitë tona. Ndoshta shumë njerëz mendonin se nuk do të fitonim asnjë ndeshje në Kupën e Botës, por ne kemi një ekip të shkëlqyer dhe lojtarë cilësorë”.

“Është një kënaqësi e madhe që u kualifikuam në fazën tjetër, ndërsa ndeshja me Argjentinën do të jetë fantastike. Është ëndrra e çdo futbollisti të luajë kundër Argjentinës dhe Lionel Messit”.

“Nuk erdhëm këtu për një barazim. Gjithmonë kërkuam fitoren. E dinim se nuk do të ishte e lehtë, sepse Arabia Saudite ka shumë cilësi dhe përvojë në ndeshje të tilla. Bëmë gjithçka për të shënuar, por nuk ia dolëm”.

“Ne vijmë nga një vend i vogël, por dimë të garojmë. Ndoshta shumë njerëz mendojnë se futbollistët e Kepit të Gjelbër nuk janë mjaftueshëm të mirë, por ne kemi treguar se kemi cilësi dhe se mund të konkurrojmë në çdo turne të madh”.

“Jemi rritur mes vështirësive të mëdha. Prindërit dhe gjyshërit tanë sakrifikuan shumë dhe na mësuan të vlerësojmë gjithçka që kemi”.

“Kemi treguar qëndrueshmërinë e popullit të Kepit të Gjelbër, pasionin për vendin tonë dhe faktin se përfaqësojmë jo vetëm këtë ekip, por të gjithë qytetarët e Kepit të Gjelbër që jetojnë në mbarë botën. Kemi zemra të mëdha dhe jemi luftëtarë”, përfundoi ai./Telegrafi/