Më shumë se 10 milionë gjermanë e gjermane u anëtarësuan në partinë naziste. Arkivi Kombëtar Amerikan i ka bërë tani publike fletëanëtarësitë e tyre, pastaj gazetat gjermane kanë publikuar në rrjet makina kërkimi: tani miliona gjermanë po interesohen për të kaluarën e familjarëve të tyre.
80 vjet më parë shumë familje gjermane morën një pako me ushqime. Në pako shkruante me shkronja të mëdha «CARE». Dhurata vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat më 1945 kishin mposhtur regjimin barbar nazist. Brenda pakos kishte çokollatë, kafe, gjalpë, vaj, qumësht pluhur etj. Shumë nga këto produkte gjermanët nuk i kishin parë kurrë. Kishte qytete gjermane që i luteshin autoriteteve të mos i linin të vdisnin urie. 30 milionë njerëz ishin të zhvendosur. Organizata «CARE» u themelua në nëntor 1945 nga 22 shoqata bamirëse amerikane, me emrin «Cooperative for American Remittances to Europe». Pakot e para arritën në Bremerhaven të Gjermanisë veriore më 15 korrik 1946. Vetëm gjatë viteve 1946/47 tre milionë njerëz mbijetuan falë «CARE». Kur sovjetikët bllokuan Berlinin, «CARE» ishte organizata e vetme private që vazhdoi ndihmën për Berlinin Perëndimor.
80 vjet më vonë e kaluara naziste vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë gjermane. Disa familje kujtojnë ndihmën amerikane nëpërmjet pakove «CARE», të tjerat – duhet të jenë miliona familje ndërkohë – janë duke kaluar shumë kohë në uebfaqet e gazetës «Süddeutsche Zeitung» dhe të përjavshmeve «Der Spiegel» dhe «Die Zeit». Këto media të rëndësishme gjermane kanë instaluar në faqet e tyre digjitale makina kërkimi, nëpërmjet të cilave gjermanët mund të verifikojnë nëse paraardhësit e tyre – gjyshi, gjyshja, daja, tezja – kanë qenë apo jo anëtarë të partisë naziste NSDAP. Si u bë kjo e mundur? Sërish falë amerikanëve. Më saktë: në mars të këtij viti Arkivi Kombëtar i SHBA-së publikoi në internet miliona karta anëtarësimi të NSDAP-së. Tani, për të marrë përgjigjen e thjeshtë në pyetjen se «a ka qenë gjyshi im anëtar i partisë naziste», nuk duhet të hulumtohet me javë të tëra nëpër arkiva – mjafton një klikim dhe brenda pak sekondash sistemi e jep përgjigjen.

Nga këndvështrimi i jashtëm përballja e gjermanëve me të kaluarën shikohet si shembullore. Por kjo histori është pak më komplekse. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore gatishmëria për të pranuar krimet e nazistëve pothuaj nuk ekzistonte. Shumë nazistë vazhduan karrierën e tyre në administratën e re. Kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer, kështu e arsyetoi tolerimin e nazistëve në sistemin e ri: «Nuk derdhet uji i ndotur kur s’ke ujë të pastër».
Katër ngjarje apo zhvillime ndikuan që shumë gjermanë të heqin dorë nga mohimi i krimeve naziste. E para: procesi kundër Adolf Eichmannit më 1961-62. Eichmann ishte organizatori kryesor i deportimit të mbi 1,5 milionë hebrenjve. Në maj të vitit 1960 ai u kap nga shërbimi sekret izraelit Mossad në Argjentinë, ku ishte fshehur pas Luftës së Dytë Botërore. Eichmann u gjykua në Jerusalem dhe u dënua me varje. (Një fusnotë: fotografitë ikonike të Eichmannit në sallën e gjyqit dhe në qeli i ka shkrepur Gjon Mili, fotografi i famshëm amerikan me origjinë shqiptare. Mili u lind më 1904 në Korçë dhe nëpërmjet Rumanisë emigroi në SHBA). Procesi kundër Eichmannit e ballafaqoi masën e madhe të gjermanëve me krimet naziste.
Ngjarja e dytë lidhet me lëvizjen e studentëve të vitit 1968. Të rinjtë e rebeluar pyetën prindërit: «Çfarë bëtë ju gjatë nazizmit?» Këtu nisi thyerja e heshtjes brenda familjeve. Ngjarja e tretë ka të bëjë me serinë televizive amerikane «Holocaust» të vitit 1979, në të cilën luajti edhe aktorja e famshme Meryl Streep. Kjo seri nuk prezanton shifra abstrakte, por përshkruan fate konkrete viktimash. Miliona gjermanë e shikuan serinë dhe panë se çfarë tragjedish kishte shkaktuar nazizmi. Ngjarja e katërt i përket fjalimit historik të presidentit Richard von Weizsäcker, mbajtur më 8 maj 1985, në 40-vjetorin e përfundimit të luftës. Ai e quajti 8 majin e vitit 1945 si «ditë çlirimi», jo ditë humbjeje.
Bërja publike e fletëanëtarësimeve u jep mundësi gjermanëve që sërish, tash në epokën digjitale, të gërmojnë në të kaluarën e familjeve të tyre. «Süddeutsche Zeitung» ka botuar, për shembull, një tekst impresiv të një gazetareje, e cila ishte rritur me rrëfimin se gjyshi i saj ishte vetëm hero. Ai ishte vrarë nga nazistët më 1945 pasi ishte angazhuar që qyteti i tij i lindjes t’u dorëzohej amerikanëve, ngaqë rezistenca nuk kishte më kuptim. Tani një klikim në makinën e kërkimit ka nxjerrë në sipërfaqe një anë tjetër të gjyshit të saj: ai rezulton të ketë qenë anëtar i partisë naziste. A ishte kryengritës? Jo, është përgjigjja e prerë e një arkivisti. Por a mund të etiketohet vetëm si nazist? Jo. Sepse në një moment ai tregoi kurajë civile kundër nazistëve. Historia është e ndërlikuar. Një gazetar tjetër i «Süddeutsche Zeitung» pyet veten se përse stërgjyshja e tij u anëtarësua në partinë naziste, ndonëse më 1939 në Szpęgawsk, në jug të Gdańskut polak, nazistët pushkatuan rreth 7000 polakë. Afër vendit të krimit gjendej prona familjare e paraardhësve të gazetarit.
Gazeta «Süddeutsche Zeitung» i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë përballjes me të kaluarën naziste të Gjermanisë. Kjo lidhet edhe me faktin se selia e saj ndodhet në München, qytet që gjatë regjimit nazist njihej si «Kryeqyteti i Lëvizjes» («Hauptstadt der Bewegung»), shkruan në një njoftim «Süddeutsche Zeitung». Në München u themelua partia naziste NSDAP. Këtu Adolf Hitleri ndihej si në shtëpinë e vet. Në München administrohej edhe regjistri qendror i anëtarëve të NSDAP-së.
Nganjëherë historia prodhon ngjarje të pabesueshme. Numri i parë i «Süddeutsche Zeitung» u shtyp me pllaka tipografike të prodhuara nga shkrirja e shkronjave prej plumbi të përdorura për shtypjen e librit të Hitlerit, «Mein Kampf» («Lufta ime»).
Që në fillimet e saj, gazeta synonte t’u drejtohej, siç thuhej në parathënien e numrit të parë të 6 tetorit 1945, të gjithë atyre që ishin të bashkuar «në urrejtjen ndaj shtetit totalitar dhe në neverinë ndaj çdo gjëje që përfaqësonte nacional-socializmin».




