Një ushtar rus ka bërë deklarata të forta kundër udhëheqjes së Kremlinit, duke kërcënuar me një kryengritje të re ushtarake dhe duke pretenduar se brenda ushtrisë ruse ka raste të shumta të keqtrajtimit dhe abuzimeve.
Ushtari Alexander Lunin deklaroi se ushtarët rusë po përballen me tortura dhe ndëshkime për refuzimin e zbatimit të urdhrave që ai i cilësoi si “të pakuptimtë dhe vetëvrasës”.
Sipas tij, disa pjesëtarë të ushtrisë ruse janë të gatshëm t’i kundërvihen udhëheqjes ushtarake dhe politike, duke thënë se “ushtria do t’i kthejë armët kundër atyre që u shkaktojnë dhimbje”.
Lunin ka kërkuar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, ku pretendon se do t’i paraqesë raste për tortura masive, presion dhe zhvatje parash brenda strukturave të ushtrisë.
Deklaratat janë bërë në një kohë kur ushtria ruse vazhdon luftën në Ukrainë dhe kur raportimet për tensione të brendshme, probleme me disiplinën dhe pakënaqësi mes ushtarëve kanë shtuar debatet mbi gjendjen brenda forcave të armatosura ruse.
Megjithatë, pretendimet e bëra nga Lunin nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për këto deklarata. /Telegrafi/






