Miranda Kerr dhe bashkëshorti i saj miliarder, Evan Spiegel, kanë zbuluar se kanë ndihmuar në shlyerjen e 550 milionë dollarëve borxhesh mjekësore për familjet në Kaliforni.
Ish-modelja e Victoria’s Secret dhe Spiegel publikuan të premten një video në Instagram, ku folën për kontributin e tyre bamirës.
Çifti bëri të ditur se kishte dhuruar disa milionë dollarë për Undue Medical Debt, një organizatë që ndihmon në shlyerjen e borxheve mjekësore për njerëzit që përballen me vështirësi financiare.

Në një postim të përbashkët të publikuar nga Undue Medical Debt në Instagram, Kerr dhe Spiegel njoftuan se donacioni i tyre ndihmoi në shlyerjen e borxheve mjekësore për rreth 260 mijë banorë të Kalifornisë.
Ata shpjeguan se vendosën të realizonin këtë video për t’u bërë të ditur familjeve përfituese se ndihma e tyre është reale.
“Përshëndetje të gjithëve, Evan dhe Miranda këtu”, tha Spiegel në video. “Sot jemi shumë të lumtur të njoftojmë partneritetin tonë me Undue Medical Debt për të shlyer më shumë se gjysmë miliard dollarë borxhe mjekësore të papaguara për mbi 250 mijë banorë të Kalifornisë.”
“Kur dikush që e doni është i sëmurë, gjithçka që dëshironi është të përqendroheni që ai të bëhet më mirë”, tha Kerr, themeluesja e markës KORA Organics.
“Kjo është arsyeja pse vendosëm ta mbështesim këtë nismë dhe të ndihmojmë në lehtësimin e barrës së borxheve mjekësore, në mënyrë që familjet të mund të përqendrohen te kujdesi për njerëzit e tyre të dashur dhe t’i mbështesin gjatë procesit të shërimit.”
Spiegel dhe Kerr bënë të ditur se familjet që plotësojnë kriteret do të marrin me postë një letër ku do të njoftohen se borxhi i tyre mjekësor është falur.
Sipas organizatës jofitimprurëse, çifti e realizoi donacionin gjatë pranverës, ndërsa mijëra përfitues të përzgjedhur në Kaliforni do të fillojnë t’i marrin letrat njoftuese nga mesi i muajit korrik.





