Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Zgjidhja është një lidership i ri

Nacionale

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar hapjen e procesit për zgjedhje të reja brenda partisë, duke e cilësuar këtë si rrugën për rikthimin e besimit dhe forcimin e LDK-së. Gashi ka thënë se, në rastet kur një parti nuk arrin të fitojë mbështetjen e qytetarëve, fokusi nuk duhet të […]

Madhësia e shkronjave

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar hapjen e procesit për zgjedhje të reja brenda partisë, duke e cilësuar këtë si rrugën për rikthimin e besimit dhe forcimin e LDK-së.

Gashi ka thënë se, në rastet kur një parti nuk arrin të fitojë mbështetjen e qytetarëve, fokusi nuk duhet të jetë te gjetja e fajtorëve, por te analizimi i situatës dhe gjetja e zgjidhjeve.

“Kur mungon suksesi, duhet të mbizotërojë arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Sipas Gashit, demokracia e brendshme nuk duhet të shihet si kërcënim, por si mekanizëm që i jep forcë partisë. Ai ka theksuar se zgjedhjet brenda LDK-së nuk janë problem, por zgjidhje për të rikthyer legjitimitetin, besimin dhe energjinë politike.

“As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mund të bëhet normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë më shumë: një LDK që fiton, qeveris dhe udhëheq me vizion”, është shprehur Gashi.

Thirrja e tij vjen pas kërkesave të disa degëve të LDK-së për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare, ku partia sërish u rendit në vendin e tretë.

Abdixhiku i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke deklaruar se më 31 janar ka marrë besimin e anëtarësisë për të vazhduar mandatin e tij si kryetar. Ai gjithashtu ka akuzuar disa struktura lokale për sabotim dhe u ka kërkuar drejtuesve të degëve përgjegjësi për rezultatin zgjedhor.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja mori 16.69 për qind të votave dhe u rendit e treta, megjithëse siguroi tre deputetë më shumë në Kuvend. Në listën zgjedhore të partisë u rikthye edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa gjatë fushatës LDK-ja e kishte prezantuar veten si “bashkimi i madh i së djathtës”.

Edhe në zgjedhjet e mëparshme, më 28 dhjetor, LDK-ja ishte renditur e treta me 13.24 për qind të votave, pas së cilës Abdixhiku mori mbështetjen e anëtarësisë për të vazhduar udhëheqjen e partisë. /Telegrafi/