Shtetet e Bashkuara po përfshijnë në stërvitjet e tyre ushtarake përvojën e fituar nga Ukraina gjatë luftës, veçanërisht në përdorimin e dronëve dhe teknologjive pa pilot.
Për herë të parë, ushtria amerikane ka përdorur dronin detar ukrainas Magura gjatë një stërvitjeje detare në Filipine, në një sinjal të qartë të interesit të Pentagonit për të analizuar dhe testuar aftësitë e sistemeve të reja të luftës moderne.
Sipas agjencisë Bloomberg, ata kanë parë pamjet e ushtrimit, edhe pse nuk u lejuan që t’i publikojnë ato. Gjatë stërvitjes, mjeti ukrainas pa pilot arriti të godiste me sukses një anije të nxjerrë jashtë përdorimit, e cila ishte përdorur si objektiv trajnimi. Pas goditjes, anija u fundos brenda një kohe të shkurtër.
Përdorimi i Magura-s nga ushtria amerikane vjen pasi Ukraina ka fituar përvojë të konsiderueshme në fushën e luftës me dronë, veçanërisht në Detin e Zi, ku mjetet pa pilot kanë luajtur rol të rëndësishëm në sulmet ndaj flotës dhe infrastrukturës ruse.
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se lufta në Ukrainë ka ndryshuar mënyrën se si ushtritë moderne e shohin përdorimin e teknologjisë, duke treguar se sisteme relativisht të vogla dhe me kosto më të ulët mund të shkaktojnë dëme të mëdha ndaj objektivave tradicionale ushtarake.
Për SHBA-në, testimi i teknologjive të tilla është pjesë e përpjekjeve për të përshtatur strategjitë e saj me realitetin e ri të luftës, ku dronët ajrorë dhe detarë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në operacionet ushtarake. /Telegrafi/






