Paneli Vlerësues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur sot një takim për të avancuar procedurat e konkursit dhe për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes.
Takimi u kryesua nga Arian Gashi, në cilësinë e kryesuesit të panelit, me pjesëmarrjen e anëtares Elza Bajrami-Kastrati, ndërsa Visar Krasniqi mori pjesë përmes platformës Zoom.
Gjatë takimit, anëtarët e panelit kanë caktuar datën dhe orarin zyrtar për intervistimin e kandidatëve që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas njoftimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, intervistat do të mbahen më 1 korrik 2026, në objektin e KPK-së në Prishtinë.
Hartimi i pyetjeve standarde do të nisë në orën 08:00, ndërsa intervistat me kandidatët do të fillojnë nga ora 11:00.
Sipas orarit të publikuar, kandidatët do të intervistohen në këtë renditje:
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ftuar palët e interesuara që dëshirojnë të monitorojnë procesin të konfirmojnë pjesëmarrjen e një përfaqësuesi deri më 26 qershor 2026, për shkak të hapësirës së kufizuar në sallën ku do të zhvillohen intervistat.
Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/






