Kupa e Botës 2026 po rezulton një turne historik jo vetëm për spektaklin në fushë, por edhe për rekordet që po thyhen. Deri tani, dy rekorde të mëdha janë barazuar ose rrëzuar, ndërsa disa të tjera mund të ndryshojnë para përfundimit të turneut.
Messi bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit
Pesë golat e shënuar nga Lionel Messi në dy ndeshjet e para me Argjentinën i kanë mundësuar atij të kalojë legjendën gjermane Miroslav Klose dhe të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.
Messi tashmë numëron 18 gola në Botëror, ndërsa Klose dhe Kylian Mbappe ndajnë vendin e dytë me nga 16 gola secili.

Sulmuesi francez ka realizuar katër gola në dy ndeshjet e para dhe mbetet kandidati kryesor për të sfiduar rekordin e argjentinasit.
Në listën e golashënuesve më të mirë pasojnë Ronaldo Nazario me 15 gola, Gerd Muller me 14, Just Fontaine dhe Pele me nga 12 gola.
Gjermania dhe Brazili, duel për fronin e golave
Gjermania arriti të thyejë rekordin e Brazilit për numrin më të madh të golave të shënuar nga një kombëtare në historinë e Kupës së Botës pas fitores 7-1 ndaj Curaçaos.
Megjithatë, brazilianët reaguan menjëherë dhe rikthyen baraspeshën pas raundit të dytë të fazës së grupeve.
Të dy kombëtaret kryesojnë aktualisht me nga 239 gola të shënuar në historinë e turneut.
Pas tyre renditet Argjentina me 157 gola, ndërsa Franca (142), Italia (128), Spanja (112), Anglia (104) dhe Holanda (103) janë kombëtaret e tjera që kanë kaluar shifrën e 100 golave.
Kombëtaret me më shumë tituj të Kupës së Botës
Në 96 vjet histori të Kupës së Botës, vetëm tetë shtete kanë arritur të fitojnë trofeun.
Brazili mban rekordin absolut me pesë tituj botërorë, të fituar në vitet 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002.
Pas tij vijnë Gjermania dhe Italia me nga katër trofe, ndërsa Argjentina ka fituar tri herë. Franca dhe Uruguai kanë nga dy tituj, kurse Anglia dhe Spanja kanë triumfuar nga një herë.
Messi dominon edhe në minutat e luajtura
Përveç rekordit të golave, Lionel Messi është edhe futbollisti me më shumë minuta të luajtura në historinë e Kupës së Botës.
Ylli argjentinas ka grumbulluar 2.485 minuta në 28 paraqitje, duke lënë pas Paolo Maldinin me 2.217 minuta.
Në vendin e tretë renditet Lothar Matthaus me 2.045 minuta, ndërsa në Top 10 bëjnë pjesë emra legjendarë si Uwe Seeler, Manuel Neuer, Javier Mascherano, Cristiano Ronaldo, Diego Maradona, Philipp Lahm dhe Hugo Lloris.
Edicioni 2026, i organizuar nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, është tashmë Botërori më i madh i zhvilluar ndonjëherë.
Për herë të parë marrin pjesë 48 kombëtare, një rritje prej 50 për qind krahasuar me formatin me 32 skuadra që ishte në fuqi nga viti 1998.
Me shumë ndeshje, më shumë minuta dhe më shumë mundësi për të shënuar, pritet që javët e ardhshme të sjellin edhe rekorde të tjera historike në turneun më të madh të futbollit botëror. /Telegrafi/





