Ndërsa shumica e përfaqësueseve në Kupën e Botës i mbajnë lojtarët larg familjeve gjatë turneut, Curacao ka zgjedhur një qasje krejtësisht ndryshe.
Përfaqësuesja nga Karaibet, që po merr pjesë për herë të parë në një Kupë Bote, u ka lejuar futbollistëve të qëndrojnë në të njëjtin hotel me gratë, partneret dhe fëmijët e tyre gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara.
Ky vendim u shpjegua nga mjekja e ekipit, Suzanne Huurman, e vetmja mjeke femër mes përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës.
“Lojtarët mund të ndajnë dhomën me një bashkëlojtar ose me familjen e tyre. Kur kanë fëmijë, familja merr një dhomë shtesë. Curacao është një vend i vogël dhe shumë i orientuar drejt familjes, ndaj donim ta bënim më të lehtë për lojtarët tanë që të përballonin qëndrimin larg shtëpisë”, tha Huurman.
Ajo theksoi se prania e familjarëve ka ndikim pozitiv në gjendjen psikologjike të lojtarëve gjatë një turneu të gjatë dhe të lodhshëm.
“Besoj se intimiteti dhe koha e kaluar me familjen ndihmojnë shumë, sidomos në aspektin emocional. Prania e njerëzve të dashur zvogëlon nostalgjinë dhe stresin, duke sjellë qetësi dhe ekuilibër”, shtoi ajo.
Federata e Futbollit e Curacaos shkoi edhe më tej, duke mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit për familjet e lojtarëve.
Drejtuesit e federatës vlerësuan se për shumë futbollistë do të ishte e vështirë të përballonin financiarisht qëndrimin disa-javor të familjarëve në Shtetet e Bashkuara, ndaj vendosën t’i mbështesin plotësisht.
Curacao, një nga historitë më të bukura të Botërorit
Edhe pse ka grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, Curacao është kthyer në një nga historitë më interesante të Kupës së Botës 2026.
Në qendër të vëmendjes është portieri Elroy Room, i cili realizoi 15 pritje në barazimin 0-0 ndaj Ekuadorit, duke vendosur një rekord të ri të Kupës së Botës që nga momenti kur kanë filluar të regjistrohen statistikat e detajuara.
Paraqitja e tij bëri jehonë të madhe në rrjetet sociale, ndërsa numri i ndjekësve të tij në Instagram u rrit nga rreth 120 mijë në më shumë se 1 milion brenda pak ditësh.
Për vendin më të vogël që është kualifikuar ndonjëherë në Kupën e Botës, pjesëmarrja mes elitës së futbollit botëror përbën tashmë një sukses historik. /Telegrafi/






