Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se prania e strukturave paralele dhe e grupeve kriminale në veri të Kosovës, të mbështetura nga Serbia, dëshmon se Beogradi nuk po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar marrëdhënie normale, veçanërisht me Kosovën. Në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë përgjegjësit, siç dëshmohet nga fakti se Radoiçiq vazhdon të jetojë i lirë dhe nën mbrojtje në Serbi”, tha Gola.
Gola tha se Serbia vazhdon të mbrojë individë me përgjegjësi kriminale, përfshirë kriminelë lufte dhe persona që paraqesin kërcënim për sigurinë, duke vepruar kështu në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës. “Nëse qëllimi ynë është të ndihmojmë në demokratizimin e Serbisë, atëherë nuk duhet t’i fshehim këto probleme me një gjuhë të zbutur diplomatike. Nuk ka rëndësi sa e rehatshme është e vërteta, por si përballemi me të vërtetën e pakëndshme”, tha Gola. Ai shtoi se, pavarësisht kohës, Serbia herët a vonë do të duhet të përballet me këtë realitet.”Dëshiroj t’i përgëzoj raportuesit për këtë raport. Besoj se ai përmban shumë rekomandime të rëndësishme, adresimi i të cilave do ta ndihmonte Serbinë të demokratizohej. Përtej vëmendjes së pamjaftueshme që raporti u kushton shkeljeve afatgjata të të drejtave të pakicave, veçanërisht komunitetit shqiptar në Serbi, dëshiroj të ndalem te sulmi famëkeq në Banjskë”, tha ai.Sipas tij, gjuha e përdorur në raport nuk e pasqyron në mënyrë adekuate natyrën e këtij sulmi, duke e përshkruar atë thjesht si një përplasje ndërmjet policisë dhe personave të armatosur serbë”, tha ai.
“Në Rezolutën e tij për Banjskën, Parlamenti Evropian e përshkroi sulmin si vijon: “Një grup paramilitarësh serbë, të armatosur rëndë, kreu një sulm terrorist në veri të Kosovës.” Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e dënoi atë si një “sulm terrorist të tmerrshëm dhe frikacak kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës”. Për më tepër, operacioni u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i njohur gjerësisht si një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Vuçiq, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin që i mori jetën rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke lënë pas tre fëmijë të vegjël pa babanë e tyre”, tha Gola.
Sipas tij, ky sulm, zbulon disa të vërteta të pakëndshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi.
“SË PARI, Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar marrëdhënie normale, veçanërisht me Kosovën. SË DYTI, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë përgjegjësit, siç dëshmohet nga fakti se Radoiçiq vazhdon të jetojë i lirë dhe nën mbrojtje në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është shndërruar në shkelëse të vetë vlerave që Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur dhe promovuar. Prandaj, nëse synimi ynë është ta ndihmojmë Serbinë të demokratizohet, nuk duhet t’i zbusim apo t’i fshehim faktet e pakëndshme përmes një gjuhe neutralizuese. Prova e vërtetë e një shteti nuk është mënyra se si i përqafon të vërtetat e rehatshme, por mënyra se si përballet me të vërtetat e pakëndshme. Dhe Banjska është një e vërtetë e tillë me të cilën Serbia, herët a vonë, do të duhet të përballet”, tha Gola./rtk/






