Madonna zbulon se ka punuar me vajzën e saj, Lourdes Leon, në një këngë të përbashkët, e cila ka shërbyer edhe si një mënyrë për të forcuar marrëdhënien mes tyre.
Në një intervistë për revistën Interview, ylli i muzikës rrëfeu se ishte vetë Lourdes ajo që i propozoi të shkruanin së bashku një këngë, me synimin për të shëruar dhe afruar më shumë raportin mes nënë e bijë.
Sipas Madonnas, ajo që nisi si një bashkëpunim artistik u shndërrua në një moment shumë të rëndësishëm personal, i cili ndikoi edhe në vendimin e saj për t’iu rikthyer punës për një album të ri.
Lourdes Leon, e cila ka ndërtuar karrierën e saj si modele dhe këngëtare, publikoi së fundmi këngën “T Shirt”, ku trajton tema si humbja e vetes dhe plagët emocionale.
Madonna tregoi se procesi i krijimit të muzikës me vajzën e saj ishte një hap i rëndësishëm në marrëdhënien e tyre dhe një nga frymëzimet kryesore për albumin e ri, “Confessions II”, i cili do të publikohet më 3 korrik.
Pasi projektet për filmin biografik dhe serialin e bazuar në jetën e saj nuk u realizuan, artistja u rikthye në studio dhe bashkëpunoi sërish me producentin Stuart Price, me të cilin kishte realizuar albumin e suksesshëm “Confessions on a Dance Floor”.
Sipas saj, në një kohë të vështirë për botën, njerëzit kanë nevojë të kërcejnë dhe të gjejnë dritë përmes muzikës. /Telegrafi/






