“Bomba” e Kupës së Botës 2026: Stadiumet pothuajse të mbushura në kapacitet maksimal

Sport

Një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës 2026 nuk po vjen nga rezultatet në fushë, por nga interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve. Pavarësisht skepticizmit që shoqëroi zgjerimin e turneut në 48 kombëtare, stadiumet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada janë mbushur pothuajse në çdo ndeshje. Sipas të dhënave të FIFA-s, para […]

Madhësia e shkronjave

Një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës 2026 nuk po vjen nga rezultatet në fushë, por nga interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve. Pavarësisht skepticizmit që shoqëroi zgjerimin e turneut në 48 kombëtare, stadiumet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada janë mbushur pothuajse në çdo ndeshje.

Sipas të dhënave të FIFA-s, para ndeshjeve të së dielës, në stadiumet e Botërorit kishin hyrë gjithsej 2,307,947 tifozë. Mesatarja arrin në 64,110 spektatorë për ndeshje, ndërsa shkalla e mbushjes së stadiumeve ka prekur shifrën mbresëlënëse prej 99.54 për qind.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi këtë si një sukses të madh të formatit të ri të Kupës së Botës.

“Stadiume të mbushura, qytete të mbushura dhe miliona tifozë që festojnë pasionin për futbollin. Kupa e Botës me 48 skuadra tashmë është një sukses i madh”, deklaroi Infantino.

Rekorde të reja në tribunat e Botërorit

Turneu po thyen edhe rekorde historike të frekuentimit. Vetëm në një ditë, katër ndeshje të fazës së grupeve mblodhën 281,223 tifozë në stadiume, duke kaluar rekordin e vendosur në Botërorin e vitit 1994 në SHBA, kur katër takime kishin tërhequr 277,070 spektatorë.

Objektivi i radhës është tejkalimi i shifrës prej 3.5 milionë tifozësh në stadiume, rekord i vendosur po ashtu në Kupën e Botës 1994.

Për krahasim, Botërori i Katarit 2022 u mbyll me rreth 3.4 milionë spektatorë dhe një mesatare mbushjeje prej 96.3 për qind.

Interesim i madh edhe për ndeshjet më pak tërheqëse

Ajo që ka habitur më së shumti organizatorët është interesimi i lartë edhe për ndeshjet mes kombëtareve që tradicionalisht nuk konsiderohen favorite.

Takimi mes Zelandës së Re dhe Egjiptit në Vancouver mblodhi 52,497 tifozë, Belgjikë-Iran u ndoq nga 70,317 spektatorë në Inglewood, ndërsa Tunizi-Japoni në Monterrey tërhoqi mbi 51 mijë shikues.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses po luan edhe përbërja multikulturore e Amerikës së Veriut, ku komunitete të shumta nga vende të ndryshme të botës mbështesin kombëtaret e tyre në stadiume.

Në ndeshjen Portugali – RD Kongo në Houston, mijëra tifozë të veshur me fanellën me numrin 7 të Cristiano Ronaldos krijuan atmosferë spektakolare, pavarësisht se shumë prej tyre nuk ishin portugezë.

Interesimi i madh ka ardhur edhe pse çmimet e biletave kanë qenë të larta. Për shumicën e ndeshjeve të fazës së grupeve, biletat standarde janë shitur shpejt, ndërsa në dispozicion kanë mbetur kryesisht paketat VIP, me çmime që nisnin nga rreth 500 dollarë.

Megjithatë, kërkesa e jashtëzakonshme ka treguar se pasioni për futbollin vazhdon të mbetet një forcë globale, duke e kthyer Kupën e Botës 2026 në një sukses të madh jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. /Telegrafi/