Refuzojeni pretendimin e fundit territorial të Kinës

opinion

Pekini do ta interpretojë heshtjen si pranim të nënkuptuar. Nga: Carl O. Schuster, ish-oficer i Marinës së ShBA-së, ligjërues universitar i historisë dhe shkencave ushtarake / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com Më 11 qershor, Pekini e përcaktoi Ngushticën e Tajvanit dhe disa zona përreth saj si “ujëra bregdetare” – një komponent i ujërave të brendshme […]

Madhësia e shkronjave

Pekini do ta interpretojë heshtjen si pranim të nënkuptuar.

Nga: Carl O. Schuster, ish-oficer i Marinës së ShBA-së, ligjërues universitar i historisë dhe shkencave ushtarake / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com

Më 11 qershor, Pekini e përcaktoi Ngushticën e Tajvanit dhe disa zona përreth saj si “ujëra bregdetare” – një komponent i ujërave të brendshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk mund të injorohet.

Nenet 8 deri në 11 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), përcaktojnë shtrirjen e “ujërave të brendshme” të një shteti bregdetar, mbi të cilat shtetet kanë shumë më tepër autoritet sesa mbi ujërat e tyre territoriale. Deklarata e Pekinit theksonte në mënyrë të veçantë se “ujërat në lindje të Tajvanit janë ujërat tona bregdetare, ku ne jemi të pranishëm, ushtrojmë juridiksion dhe qeverisim.”

ShBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta refuzojnë menjëherë këtë pretendim. Përndryshe, Pekini do ta interpretojë heshtjen si një pranim të nënkuptuar.

UNCLOS-i i përcakton ujërat e brendshme – si ato që ndodhen në anën tokësore të vijës bazë, nga e cila matet deti territorial prej 12 miljesh detare i një shteti bregdetar.

Ujërat e brendshme përfshijnë portet, lumenjtë, rrugët ujore të brendshme dhe zonën “pranë bregut” (ose “ujërat bregdetare,” sipas terminologjisë së Pekinit). Këto ujëra janë të mbyllura ndërmjet vijës së baticës së ulët dhe vijës bazë nga ku matet deti territorial.

Shtetet bregdetare kanë të njëjtin autoritet dhe sovranitet mbi këto ujëra, si mbi territorin e tyre tokësor. Për shembull, anijet luftarake dhe ato tregtare gëzojnë të drejtën e kalimit të pafajshëm nëpër ujërat territoriale, por nuk mund të hyjnë në ujërat “e brendshme,” “bregdetare” ose “pranë bregut” pa lejen e shtetit bregdetar.

Nuk ekziston asnjë bazë për përcaktimin nga Kina të Ngushticës së Tajvanit si “ujëra bregdetare.” Ajo është një ngushticë ndërkombëtare, siç përcaktohet nga Neni 37 i UNCLOS-it. Ajo përdoret për lundrim ndërkombëtar – ndërmjet një pjese të detit të hapur ose të një zone ekskluzive ekonomike dhe një pjese tjetër të detit të hapur ose të një zone ekskluzive ekonomike.

Për më tepër, para se të pretendonte më 2018 se ngushtica nuk përkonte me ujëra ndërkombëtare, Pekini e pranoi atë si të tillë. Tani ai i shpall këto ujëra si ujëra të veta bregdetare.

Neni 38 i UNCLOS-it përcakton shumë qartë se në ngushticat që përdoren për lundrim ndërkombëtar, të gjitha anijet dhe mjetet ajrore kanë të drejtën e kalimit; ky kalim nuk duhet të pengohet. Ujërat territoriale të Kinës, sipas përcaktimit të UNCLOS-it, nuk shtrihen në të gjithë gjerësinë e ngushticës.

Kjo është arsyeja pse deklarata më e fundit e Pekinit për territorin detar është kaq serioze. Edhe pse në pamje të parë ky përcaktim duket i padëmshëm, në të vërtetë ai përbën një përvetësim të pushtetit detar – nisur pas një “operacioni të zbatimit të ligjit detar” që thuhet se zgjati pesë ditë.

Pekini pretendon se ka inspektuar më shumë se 198 anije dhe mjete lundruese gjatë operacioneve rreth Tajvanit.

Ai gjithashtu kreu kërkime detare dhe hartim të shtratit detar në ujërat në Lindje dhe Verilindje të Tajvanit, pa dyshim për të përmirësuar njohuritë e Pekinit mbi vendndodhjet e kabllove nënujore në atë zonë.

Me mbështetjen e katër anijeve patrulluese të rojës bregdetare, Administrata e Sigurisë Detare dislokoi tri nga katër anijet e saj më të mëdha patrulluese, me zhvendosje nga 5-10 mijë tonë. Shumica e afro 300 anijeve patrulluese të Administratës së Sigurisë Detare kanë zhvendosje më të vogël se 100 tonë, por tetë prej tyre janë anije oqeanike që tejkalojnë standardin prej tre mijë tonësh.

Më e rëndësishmja, ashtu si të gjitha forcat detare të Republikës Popullore të Kinës, edhe Administrata e Sigurisë Detare po forcohet vazhdimisht. Megjithëse Pekini deklaroi se operacioni ishte një përgjigje ndaj diskutimeve Manila-Tokio mbi kufijtë e tyre detarë, operacioni dhe pretendimet e reja detare, që pasuan, shënojnë thjesht hapin më të fundit në fushatën e Kinës për të fituar kontroll mbi korridoret ajrore dhe detare nga të cilat varen fqinjët e saj dhe Tajvani.

Udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze do të argumentojnë se pretendimi i ujërave bregdetare të Taipeit, si ujëra të Kinës, është në përputhje me qëndrimin e Pekinit se Tajvani është një provincë e Republikës Popullore të Kinës që nuk pranon autoritetin dhe qeverisjen kombëtare.

Megjithëse kjo pasqyron politikën dhe qëndrimin afatgjatë të Kinës ndaj Tajvanit, kjo është hera e parë që ajo ka tentuar të zbatojë rregulloret e saj detare në këto ujëra.

Ndikimi shkon përtej Taipeit dhe, në mënyrë më ogurzezë, përfaqëson një përshkallëzim destabilizues në operacionet e frikësimit që Republika Popullore e Kinës zhvillon kundër asaj qeverie dhe popullit të saj. Ai gjithashtu mund të përbëjë një pararendës të mundshëm të krijimit të një zone përjashtimi detar rreth Tajvanit.

Refuzimi zyrtar i këtyre pretendimeve është thelbësor për të penguar çdo veprim të Republikës Popullore të Kinës. Heshtja vetëm sa nxit agresion të mëtejshëm.

Për shembull, heshtja e mëparshme amerikane, pasi Kina pushtoi ose bllokoi disa zona të fqinjëve të saj, e inkurajoi Pekinin të konsolidonte kontrollin mbi ato ujëra duke ndërtuar garnizone në territoret e pushtuara.

Udhëheqësit perëndimorë duhet të mësojnë nga këto gabime. Parandalimi i agresionit kushton shumë më pak sesa reagimi ndaj një akti lufte të kryer nga një agresor i bindur se nuk do të përballet me pasoja. /Telegrafi/