Në praktikën e përditshme klinike, termi “dhimbje kockash” shpesh përdoret si një përkufizim i përgjithshëm për çdo shqetësim fizik që ndien pacienti. Megjithatë, pikërisht ky thjeshtim mund të bëhet shkak për ngatërresa të rëndësishme diagnostikuese
Dr. Avni Kryeziu Internist-reumatolog Tel. 044 317 322
Shumë pacientë, duke besuar se dhimbja e tyre ka origjinë mekanike, ortopedike apo neurologjike, mund të neglizhojnë shenja që në të vërtetë tregojnë për një patologji tjetër: sëmundjet inflamatore reumatike.
Në disa raste, simptomat që lidhen me lodhjen, moshën, “problemet me diskun”, ftohjen apo mungesën e vitaminave mund të jenë sinjale të një sëmundjeje reumatike ose autoimune. Prandaj, njohja e dallimeve mes dhimbjes lokale dhe procesit inflamator reumatik është shumë e rëndësishme për diagnozë të saktë dhe trajtim në kohë.

“Dhimbja e kockave” me origjinë reumatike
Dhimbja reumatike, ashtu si edhe dhimbja e kockave, muskujve, nervave ose diskut, është një simptomë subjektive, një ndjesi që nuk mund të matet apo të objektivizohet nga askush tjetër, por që e ndien vetëm pacienti dhe mund ta përshkruajë ai vetë.
Sëmundjet reumatike shoqërohen shumë shpesh me dhimbje; në fakt, në shumicën dërrmuese të problemeve reumatike, dhimbja është simptoma dominuese. Prandaj, dhimbja që pacientët shpesh e quajnë “dhimbje kockash” mund të ketë origjinë reumatike.
Si të dallojmë dhimbjen reumatike nga dhimbjet e tjera
Çdo problem shëndetësor që shoqërohet me dhimbje mund të shfaqet në forma të ndryshme: si dhimbje shtypëse, shpuese, djegëse, rënduese e kështu me radhë. Zakonisht, dhimbjet karakterizohen nga kohëzgjatja, natyra e tyre, koha kur shfaqen, prania në qetësi apo gjatë aktivitetit fizik.
Dhimbja që vjen nga reumatizmi inflamator zakonisht shfaqet në qetësi dhe në fillim të aktivitetit, ndërsa ajo që vjen nga reumatizmi degjenerativ është më e shprehur gjatë aktivitetit fizik, kurse në qetësi zvogëlohet ose ndalet.
Në përgjithësi, dhimbja që vjen nga kocka është e lokalizuar në një vend të caktuar, intensifikohet gjatë aktivitetit fizik dhe shpesh ka karakter shpues. Megjithatë, nuk ekziston një mënyrë e vetme që ta dallojë me saktësi llojin e dhimbjes vetëm nga përshkrimi. Janë hulumtimet, ekzaminimi klinik dhe metodat diagnostike ato që japin përgjigjen përfundimtare.
Ekzistojnë shumë entitete reumatike; më saktë, rreth 150 deri në 200 sëmundje reumatike. Ato ndahen në disa grupe, ku ndër më të rëndësishmet janë sëmundjet reumatike inflamatore dhe ato degjenerative.
Zakonisht, sëmundjet reumatike degjenerative ngatërrohen më shpesh me probleme ortopedike, madje shpesh u takojnë të dyja disiplinave sa i përket trajtimit. Ndërkaq, problemet neurologjike dhe ato muskulore mund të dallohen sipas kohës së shfaqjes, pranisë ose mungesës së ndjeshmërisë në pjesën e prekur, si dhe natyrës së dhimbjes.
Zakonisht, sëmundjet reumatike japin shumë dhimbje, për një kohë të gjatë, së paku gjashtë javë, si dhe shoqërohen edhe me simptoma dhe shenja të tjera.
Një sëmundje reumatike mund të fshihet pas dhimbjeve që pacientët shpesh i lidhin me ftohjen, lodhjen, moshën ose mungesën e vitaminave. Shpesh, probleme shumë serioze reumatike nuk zbulohen me kohë, sepse në fillim japin shenja dhe simptoma jospecifike, si lodhja, plogështia dhe dhimbjet e lehta trupore, të cilat mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera. Kjo mund ta vonojë diagnostikimin.
Vetëm më vonë, këto simptoma marrin formë më specifike për sëmundjen e caktuar reumatike.
Ngurtësimi i mëngjesit si shenjë paralajmëruese
Ngurtësimi i mëngjesit është një shenjë e rëndësishme për disa probleme reumatike. Ai shfaqet si ngurtësim i nyjave të trupit, të cilin pacienti e përshkruan si pamundësi për të lëvizur, mbledhur apo hapur gishtat për disa minuta pas zgjimit.
Nëse ky ngurtësim zgjat rreth 15–20 minuta dhe tërhiqet pas fillimit të aktivitetit, zakonisht është më karakteristik për sëmundjet degjenerative. Por, nëse ngurtësimi zgjat 30 minuta deri në një orë, apo edhe më gjatë, ai është më karakteristik për sëmundjet inflamatore reumatike, siç është artriti reumatoid. Në këtë rast, ngurtësimi i mëngjesit është një kriter diagnostikues shumë i rëndësishëm.
Kur dhimbja e shpinës nuk është vetëm “disk”
Dhimbja e shpinës nuk është gjithmonë “disk”; në disa raste, ajo mund të jetë shenjë e një sëmundjeje inflamatore reumatike. Problemet reumatike inflamatore që prekin boshtin kurrizor shpesh mund të ngatërrohen me hernien diskale.
Ato dallohen nga fillimi i dhimbjes, kohëzgjatja dhe intensiteti i saj, që lidhet me kohën e shfaqjes. Zakonisht, dhimbjet nga disku shfaqen gjatë aktivitetit fizik, kurse në pushim qetësohen. Ndryshe ndodh me problemet inflamatore, siç është spondiliti, te i cili dhimbja shfaqet në qetësi, ndërsa gjatë aktivitetit lehtësohet ose ndalet krejtësisht.
Dhimbja lokale si paralajmërim për sëmundje reumatike
Dhimbja e thembrës, shputës, bërrylit ose gishtave mund të jetë shenjë e sëmundjes reumatike dhe jo vetëm problem lokal, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, zakonisht gjashtë ose më shumë javë; nëse shoqërohet me ënjtje në nyjet përkatëse, si dhe me shenja të tjera, si ftohje në grykë, probleme në rrugët urinare, skuqje dhe kruarje të syve, skuqje lokale në lëkurë, si dhe nëse nuk i ka paraprirë ndonjë lëndim.
Shenjat e para që mund të tregojnë artrit reumatoid, dhe jo vetëm “dhimbje të zakonshme nyjash”, janë dhimbjet dhe ënjtjet në nyjet e vogla të duarve dhe këmbëve, ngurtësimi i mëngjesit, shfaqja simetrike e simptomave, shoqërimi i tyre me lodhje, plogështi dhe humbje peshe, si dhe kohëzgjatja e këtyre simptomave për gjashtë ose më shumë javë.
Dhimbjet e përhapura dhe dyshimi për fibromialgji
Dhimbjet e përhapura në trup shpesh mund të jenë fibromialgji dhe jo problem me kockat. Fibromialgjia është dhimbje kronike që shumë shpesh prek femrat, e shumë më rrallë meshkujt.
Ajo dallohet nga dhimbjet e kockave dhe nyjave, sepse mund të vlerësohet me shtypje me gishtërinj nga ekzaminuesi në gjithsej 18 pika të caktuara në trupin e pacientit. Nëse nga këto pika, 11 janë pozitive në shtypje, atëherë kemi të bëjmë me fibromialgji dhe jo me probleme në kocka.
Simptomat e zakonshme që lidhen me autoimunitetin
Lupusi, sindroma Sjögren ose sëmundje të tjera autoimune mund të ngatërrohen me lodhje, anemi, probleme të lëkurës apo tharje të syve. Në fakt, këto mund të jenë shenja dhe simptoma të sëmundjeve autoimune të lartcekura.
Lupusi, sindroma Sjögren dhe sëmundje të tjera reumatike janë sëmundje sistemike, që do të thotë se mund të prekin lëkurën, sistemin e formimit të gjakut dhe gjëndrat me tajim të jashtëm, siç janë gjëndrat e lotit dhe të pështymës.
Prandaj, çdo shfaqje e ndonjë simptome apo shenje në lëkurë, tharja e syve dhe e gojës, lodhja ose anemia duhet të sqarohet nga reumatologu, për të përjashtuar ose konfirmuar sëmundjet reumatike autoimune.
Simptomat jashtë nyjave që zgjojnë dyshimin
Ka shumë shenja dhe simptoma që shfaqen jashtë nyjave dhe që mund të jenë pasojë e sëmundjeve reumatike autoimune. Këtu përfshihen problemet në veshka, mushkëri, zemër, sistemin nervor, sistemin e formimit të gjakut, lëkurë, muskuj, si dhe në organe e inde të tjera.
Sëmundjet reumatike janë sëmundje që prekin indin lidhor. Duke qenë se indi lidhor ndodhet pothuajse kudo në trupin e njeriut, këto sëmundje mund të prekin potencialisht çdo qelizë, ind apo organ të organizmit.
Analizat normale, por sëmundja reumatike ekziston
Analizat mund të jenë normale edhe kur pacienti ka sëmundje reumatike. Ka shumë probleme reumatike që nuk shoqërohen me abnormalitet të analizave të gjakut. Këtu përfshihen sëmundjet reumatike degjenerative, ato metabolike, si dhe një grup i sëmundjeve inflamatore që quhen seronegative.
Për t’i diagnostikuar këto probleme, shërbehemi kryesisht me të dhënat anamnestike, ekzaminimin objektiv, të dhënat klinike dhe ekzaminimet radiologjike, të cilat janë po ashtu shumë të rëndësishme.
Kur duhet kërkuar mendimi i reumatologut
Mendimi i reumatologut duhet të kërkohet në vend që dhimbja të trajtohet vetëm si problem ortopedik, neurologjik ose muskulor, në shumë situata gjatë trajtimit të një dhimbjeje nga ortopedi ose neurologu.
Nëse dhimbjes nuk i ka paraprirë ndonjë lëndim, nëse ajo nuk është qetësuar pas një trajtimi disa ditësh dhe nëse shoqërohet edhe me shenja dhe simptoma të tjera, si skuqje e lëkurës, probleme me enët e gjakut, përfshirje e veshkave, enjtje e një apo më shumë nyjave etj., duhet të merret parasysh edhe vlerësimi reumatologjik.
Në fakt, mund të themi se çdo dhimbje trupore që zgjat për një kohë të gjatë, së paku gjashtë javë, që nuk kalon me barna kundër dhimbjes ose që rishfaqet përsëri, medoemos, ndër të tjera, duhet të konsultohet edhe me reumatologun.
Pse është e rrezikshme vonesa e diagnozës
Vonesa e diagnozës është e rrezikshme kur dhimbja reumatike ngatërrohet me probleme të tjera, sepse jo vetëm në reumatologji, por në çdo lëmi mjekësore, diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit.
Nëse diagnostikimi i një problemi reumatik bëhet me kohë dhe në mënyrë të drejtë, fillon mjekimi i hershëm dhe adekuat, zvogëlohen ose qetësohen dhimbjet dhe vuajtjet e pacientit, parandalohen prekjet e organeve vitale potencialisht të rrezikuara, si dhe shmangen invaliditetet e mundshme. /Telegrafi/





