Absurdi në Bujanoc: Institucionet mbjellin drurin, kompania e parkingut i vizaton vijat përmbi të!

Vendore

Një foto e shkrepur në një nga rrugët e Bujanocit po bën xhiron e internetit dhe ka ndezur një debat të madh plot ironi në rrjetet sociale, duke sjellë një kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohen hapësirat publike në qytet.​ Në foton e publikuar shihet një vend i ri parkingu, i cili […]

Madhësia e shkronjave

Një foto e shkrepur në një nga rrugët e Bujanocit po bën xhiron e internetit dhe ka ndezur një debat të madh plot ironi në rrjetet sociale, duke sjellë një kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohen hapësirat publike në qytet.​

Në foton e publikuar shihet një vend i ri parkingu, i cili në shikim të parë është i rregullt sa i përket ndarjes mes rrugës dhe trotuarit, por që përmban një skandal të vërtetë në mes të tij.

Një dru i ri, i mbjellë me rregull nga vetë institucionet për të gjelbëruar qytetin, ka përfunduar i bllokuar fiks në mes të vijave të bardha të parkingut.

​Ky detaj ka shkaktuar reagime të ashpra dhe kritika të mëdha nga qytetarët në Facebook.

Rasti po shihet si dëshmi e qartë e mungesës totale të koordinimit mes ndërmarrjeve publike: nëse njëra ndërmarrje investon paratë e qytetarëve për të mbjellë pemë dhe për të krijuar ambient të pastër, vjen ndërmarrja tjetër dhe e kthen atë hapësirë në biznes parkingi pa u interesuar fare për dëmtimin e gjelbërimit.​

Qytetarët po pyesin me ironi se si mund të parkojë një shofer aty pa e goditur drurin, ose nëse tani e tutje edhe pemët e qytetit duhet të paguajnë SMS për të qëndruar në atë vend.

​Kjo pamje po qarkullon kudo si një alarm për papërgjegjshmërinë e kompanisë që po vizaton parkingjet e reja me pagesë, duke kërkuar që ky gabim trashanik të përmirësohet urgjentisht dhe të ruhen zonat e gjelbëruara të Bujanocit.​/BujanociNet/