Lamtumirë bllokuesve të reklamave – Google më në fund i ka dhënë fund

Teknologji

Google prej vitesh po përpiqet t’u japë fund bllokuesve agresivë të reklamave dhe duket se tani më në fund ka arritur qëllimin e tij. Kalimi nga sistemi i vjetër Manifest V2 (MV2) te arkitektura e re Manifest V3 (MV3) ka qenë në zhvillim që nga viti 2018. Këto janë struktura teknike që përcaktojnë mënyrën se […]

Madhësia e shkronjave

Google prej vitesh po përpiqet t’u japë fund bllokuesve agresivë të reklamave dhe duket se tani më në fund ka arritur qëllimin e tij.

Kalimi nga sistemi i vjetër Manifest V2 (MV2) te arkitektura e re Manifest V3 (MV3) ka qenë në zhvillim që nga viti 2018. Këto janë struktura teknike që përcaktojnë mënyrën se si funksionojnë shtesat (extensions) brenda shfletuesit Chrome.

Shtesat e krijuara mbi sistemin e vjetër, përfshirë edhe bllokuesin shumë të njohur të reklamave uBlock Origin, prej muajsh po humbin funksionalitetin e tyre dhe tashmë kjo epokë po shkon drejt fundit.

Sipas ndryshimeve të planifikuara në Chrome 150, versioni stabil i të cilit pritet të dalë më 30 qershor 2026, do të hiqet edhe mundësia e fundit teknike që lejonte përdoruesit më të avancuar të aktivizonin bllokuesit e vjetër të reklamave. Me ardhjen e Chrome 151, mbetjet e arkitekturës së vjetër do të hiqen plotësisht nga kodi.

Pas kësaj, përdoruesit që përdorin Chrome mund të përballen me faktin se bllokuesit klasikë të reklamave thjesht nuk do të funksionojnë më.

Google thotë se arsyeja zyrtare është rritja e sigurisë dhe zgjidhja e problemeve teknike. Sipas kompanisë, shtesat e bazuara në MV2 nuk do të lejohen më sepse mirëmbajtja e sistemit të vjetër sjell vështirësi dhe rreziqe sigurie.

Megjithatë, ekziston edhe një tjetër këndvështrim: një pjesë e madhe e të ardhurave të Google vijnë pikërisht nga reklamat, ndaj ndryshimi ka shkaktuar debat mes përdoruesve dhe ekspertëve të teknologjisë.

Për ata që nuk duan të heqin dorë nga bllokimi efektiv i reklamave, alternativë mund të jenë shfletuesit si Firefox dhe Brave Browser, të cilët kanë deklaruar se planifikojnë të vazhdojnë mbështetjen për shtesat MV2 në versionet desktop. /Telegrafi/