Barazimi historik i Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës në Kupën e Botës ka rikthyer vëmendjen te futbolli i këtij shteti ishullor, duke nxitur kuriozitetin e tifozëve për mënyrën se si funksionon kampionati vendas.
Shumëkush mund ta kujtojë një moment viral nga finalja e Kampionatit Kombëtar të vitit 2022 mes Academica do Mindelo dhe Palmeira do Sal, kur topi i ndeshjes u soll në fushë nga një djalosh i hipur mbi një gomar.
Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe u shndërruan në një simbol të kulturës së veçantë futbollistike të Kepit të Gjelbër. Megjithatë, kjo nuk është e vetmja arsye pse futbolli në këtë vend konsiderohet unik.
Një kampionat i ndërtuar sipas gjeografisë së vendit
Sistemi futbollistik i Kepit të Gjelbër është i lidhur ngushtë me karakteristikat gjeografike të vendit.
Shteti përbëhet nga nëntë ishuj të banuar dhe secili prej tyre organizon kampionatin e vet rajonal me një numër relativisht të vogël skuadrash.
Në ishujt më të mëdhenj, si Santiago dhe Sao Vicente, zhvillohen madje edhe disa gara paralele për shkak të numrit më të madh të klubeve.
Fituesit e kampionateve rajonale, së bashku me kampionin në fuqi të vendit, sigurojnë pjesëmarrjen në fazën kombëtare finale, ku garojnë gjithsej 12 skuadra për titullin.
Udhëtimet mes ishujve, sfida më e madhe
Ky format është krijuar kryesisht për arsye ekonomike dhe logjistike. Udhëtimet mes ishujve janë të kushtueshme dhe shpesh të vështira për t’u organizuar, ndaj federata përpiqet të zhvillojë ndeshjet në blloqe të caktuara dhe në një ishull të vetëm për të ulur shpenzimet.
Si rezultat, sezoni ndahet në dy faza të dallueshme: garat intensive lokale nëpër ishuj dhe faza kombëtare, e cila zakonisht zgjat rreth tre muaj.
Kampionët aktualë dhe lidhja me përfaqësuesen
Palmeira, skuadra që humbi finalen e famshme të vitit 2022, është kampione e Kepit të Gjelbër për vitin 2025 dhe që nga ajo kohë ka arritur ta fitojë titullin kombëtar edhe dy herë të tjera.
Megjithatë, futbolli vendas nuk furnizon aktualisht drejtpërdrejt përfaqësuesen kombëtare.
Në ekipin që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare nuk ka futbollistë që aktivizohen në kampionatin vendas, ndërsa vetëm një numër i vogël lojtarësh e kanë nisur karrierën në ligat lokale të ishujve.
Pikërisht për këtë arsye veteranë si portieri 40-vjeçar Vozinha dhe mbrojtësi 38-vjeçar Stopira vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm.
Të dy janë produkte të futbollit të Kepit të Gjelbër dhe përfaqësojnë lidhjen mes kampionatit vendas dhe suksesit të kombëtares në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/






