Rritet numri i duhanpirësve në Maqedoni, mjekët paralajmërojnë rrezik për sëmundje të rënda

Rajon

Përqindja e duhanpirësve në Maqedoninë e Veriut është dukshëm më e lartë krahasuar me mesataren e vendeve evropiane. Sipas të dhënave, rreth 45% e qytetarëve janë duhanpirës, që do të thotë se pothuajse çdo i dyti qytetar përdor duhan. Pulmologu Bojan Stoshevski i vlerëson këto shifra si alarmante, duke theksuar se një nivel i tillë […]

Madhësia e shkronjave

Përqindja e duhanpirësve në Maqedoninë e Veriut është dukshëm më e lartë krahasuar me mesataren e vendeve evropiane. Sipas të dhënave, rreth 45% e qytetarëve janë duhanpirës, që do të thotë se pothuajse çdo i dyti qytetar përdor duhan.

Pulmologu Bojan Stoshevski i vlerëson këto shifra si alarmante, duke theksuar se një nivel i tillë i konsumit të duhanit përbën rrezik serioz për shëndetin publik. Sipas tij, duhani ndikon drejtpërdrejt në organizëm, duke rritur rrezikun për sëmundje të mushkërive, zemrës dhe sëmundje të tjera kronike, dhe njëkohësisht rëndon sistemin shëndetësor.

“Duhani vepron në komplet organizmin, në mushkëri, në zemër, në enët e gjakut, është toksik për mbështjellësin e mushkërive, e pengon shkëmbimin e gazrave, pra kjo është nga aspekti akut. Në aspekt kronik humbje e mbështjellësit të mushkërive, humbje e kapacitetit vital të mushkërive dhe gjatë kalimit të kohës zvogëlohet funksioni i mushkërive, dhe nuk është e rrallë që pacientët në moshë më të moshuar janë të varur nga mbështetja e oksigjenit”, deklaroi Bojan Stoshevski, pulmolog.

Më shqetësuese është rritja e përdorimit të duhanit tek të rinjtë, e cila po vazhdon të rritet. Sipas Stoshevskit, edukimi duhet të fillojë nga familja, për të parandaluar krijimin e varësisë që në moshë të hershme.

“Nëse prindërit janë duhanpirës edhe fëmija do ta kuptoj se ajo është diçka normale, fillimisht ai në mënyrë psikike e kupton se nuk është diçka e dëmshme, dhe e dyta është ndikimi nga shoqëria, mosha, ndjesia që dëshiron më shpejt të rritet. Duhan pirja tek fëmijët zhvillohet më shpejtë pasi truri është ende “plastik” është në zhvillim e sipër nuk është emocionalisht mjaftueshëm i pjekur shumë shpejtë bëhet i varur dhe shumë vështirë është të heqë dorë nga duhani”, theksoi Bojan Stoshevski, pulmolog.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, përdorimi i duhanit te fëmijët dhe të rinjtë mbetet një shqetësim serioz. Të dhënat e studimit të fundit tregojnë se 7.7% e fëmijëve të moshës 13 deri në 15 vjeç janë duhanpirës aktivë, një tregues që ngre alarmin për përhapjen e kësaj dukurie në mesin e të rinjve. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas hulumtimit të realizuar te fëmijët 11 vjeç e më të vegjël, 4.1% e tyre kanë provuar cigaren të paktën një herë./Alsat.mk.