Forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar dhe oficerë të zbatimit të ligjit kanë hipur për herë të parë në një cisternë të flotës së fshehtë ruse.
Në bordin e anijes ruse që u sekuestrua ndodheshin 25 anëtarë ekuipazhi me kombësi të ndryshme, raporton skynews.
Oficeri komandues i Marinsave Mbretërorë, nënkolonel Tom Quinn, tha se ekuipazhi në bord nuk ka rezistuar dhe kanë qenë “profesional” në ndihmën ndaj marinsave për të marrë kontrollin e sigurt të cisternës së naftës “Smyrtos”.
Ai shtoi se ekuipazhi aktualisht është “nën kujdesin e Agjencisë Kombëtare të Krimit”, e cila po i trajton ata “në mënyrën e duhur”.
Anija “Smyrtos”, cisternë me flamur të Kamerunit, po lundronte në Kanalin Anglez kur u ndalua në orët e para të mëngjesit.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se komando të Marinsave Mbretërorë dhe oficerë të trajnuar posaçërisht nga Agjencia Kombëtare e Krimit hipën në një cisternë nafte të sanksionuar.
Sekuestrimi i anijes, i cili zgjati gjashtë orë, u mbështet nga avionë të Grupit Ajror Detar (përfshirë helikopterët Chinook, Merlin Mk4 dhe Wildcat), një aeroplan RAF P-8, si dhe anijet HMS Sutherland dhe HMS Ledbury.
Kjo është hera e parë që një anije e “flotës së fshehtë” ruse ndalohet në ujërat britanike, pasi Starmer kishte miratuar në mars që trupat dhe forcat e rendit të lejoheshin t’i hipnin këtyre anijeve. /Telegrafi/






