Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka njoftuar se së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë nënshkruar vendimi për vazhdimin e mandatit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, edhe për pesë vjet të tjera.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë duke u bazuar në besimin e ekzekutivit në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në udhëheqjen e institucionit kryesor të inteligjencës në vend.
“Sot, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, nënshkruam vendimin për vazhdimin e mandatit të z. Petrit Ajeti në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe për pesë vjet të tjera. Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë”, ka shkruar Haxhiu.
Në takimin ku është marrë vendimi, është vlerësuar edhe puna e deritanishme e drejtorit të AKI-së, duke u theksuar përkushtimi i tij në fushën e sigurisë kombëtare dhe forcimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë. /Telegrafi/






