Sot, 20 vjet pas nisjes së procesit të legalizimit, hap gazetën dhe vazhdon të shohësh lista legalizimesh që botohen, çuditërisht më të shpeshta sa herë afrohen zgjedhjet. Ideja fillestare e legalizimit të ndërtimeve pa leje kishte një logjikë të qartë shtetformuese që synonte mbylljen e një kapitulli të trashëguar nga tranzicioni kaotik postkomunist, ku qindra-mijëra ndërtime informale ishin produkt i boshllëkut institucional, dhe njëkohësisht të vendosej një vijë e kuqe e tipit “deri sot legalizojmë, nga sot e tutje nuk tolerohet më”. Logjika e amnistisë ishte një akt mëshire shtetërore për të mbyllur plagët e tranzicionit, duke i dhënë titull pronësie atij që kishte ndërtuar për mbijetesë, por me kushtin e prerë që pas kësaj vije të kuqe, ligji nuk do të njihte më tolerancë. Fatkeqësisht, një politikë që duhej të ishte njëherëshe, është kthyer në serial të pafund. pra nga instrument korrigjues është katandisur në mekanizëm elektoral klientelizmi.
Dhe, ironia është se dikur e kam mbështetur zëshëm këtë idenë e amnistisë që më pas u shpërfytyrua. Asokohe, i mahnitur nga teoritë e peruanit Hernando de Sotos (të cilin pata fatin ta takoj personalisht në ShBA) për potencialin e formalizimit të “kapitalit të vdekur”, kam qenë mbase i pari që kam shkruar për nevojën e formalizimit të ndërtimeve pa leje në Shqipëri. Ideja në thelb mbetet shumë e drejtë dhe ishte shumë e arsyeshme duke pasur për qëllim që të kthente një pasuri të madhe informale të investuar në ndërtim në kapital të gjallë i cili duke u futur në sistem, do të krijonte kredi, investim e zhvillim. Po ashtu, synonte të hidhte themelet e një disipline urbane duke kaluar nga faza e “amnistisë së detyruar” në fazën e “zbatimit të rreptë të rregullit”. Ishte një vizion që premtonte si shtetndërtim ashtu edhe zhvillim.
Këtu duhet rikujtuar edhe konteksti kohor dhe fakti që ata që ndërtuan pa leje në vitet ‘90-të të shekullit të kaluar, nuk ishin spekulantë strategë evazioni, por viktima të një ekonomie të centralizuar komuniste që u shemb brenda natës. Pra, legalizimi ishte për ata që, pas mbylljes së minierave dhe shkatërrimit të industrisë, nuk kishin as tokë, as shërbime publike bazë në periferi, as alternativë, përveçse të dyndeshin e të ndërtonin afër Tiranës apo Durrësit për të mbijetuar. Ishte një përgjigje ndaj një kolapsi social. Amnistia e legalizimit kishte kuptim atëherë si një akt korrigjues për një padrejtësi historike.

Por, ajo që ndodhi është e kundërta. Pa këtë tranzicionin e sipërpërmendur që nuk ndodhi kurrë, çdo listë e re, çdo afat i ri, çdo “listë e radhës” vetëm sa minon besueshmërinë e ligjit dhe krijon një cikël pritjeje ku qytetarët presin faljen e radhës. Në këtë mënyrë ideja fillestare e legalizimit ka vdekur si politikë publike dhe sot është kthyer në një manual praktik për evazion. Nuk kemi më një shtet që toleron përkohësisht një realitet të trashëguar, por një sistem që prodhon vetë shkeljen dhe pastaj e amniston për të siguruar mbështetje elektorale ose ryshfete të majme. Tashmë kemi një sistem që prodhon kapital të ri informal, sepse iu ka dhënë aktorëve një sinjal të qartë që mos të shqetësohen për rregullat se ai negociohet më vonë duke bërë që legalizimi mos të jetë më korrigjim i së shkuarës, por garanci për shkeljen e së ardhmes.
Në këtë realitet, ndërtimi pa leje është bërë strategji racionale për të shmangur taksën e rëndë të ndërtimit që përcaktohet bazuar në çmimet referencë të hamendësuara të shitjes ama që paguhet ende pa hedhur themelet. Kjo kosto marramendëse shmanget në këmbim të pagesës simbolike të legalizimit që paguhet pasi e ke ndërtuar. Pse të paguash sot koston e plotë të ligjshmërisë, kur mund të ndërtosh jashtë saj dhe të presësh legalizimin me kosto goxha më të ulët? Këtu nuk kemi të bëjmë me devijim sporadik por me arbitrazh fiskal të institucionalizuar nga shteti, i cili në vend që të ndëshkojë shkeljen, e nxit dhe e subvencionon atë.
Në terma ekonomikë dhe institucionalë, kjo gjendje prodhon pasoja të rënda pasi deformon tregun e pronës ku legalja dhe ilegalja bashkëjetojnë me kosto dhe pritshmëri të ndryshme, duke e kthyer pronën në një mjet negocimi politik e jo në një motor rritjeje ekonomike. Njëkohësisht, ky fenomen dobëson shtetin ligjor, sepse ligji fillon të perceptohet si një normë e lëkundshme, ndërsa penalizohen drejtpërdrejt qytetarët korrektë. Ata që kanë ndërtuar me leje, kanë paguar taksa dhe kanë respektuar çdo rregull, dalin si “humbësit” e një sistemi që favorizon shkelësit e përsëritur që kanë lidhje politike apo gadishmëri që të paguajnë ryshfete.
Paradoksi bëhet edhe më i rëndë e mizor për shkak të dimensionit selektiv. Nga njëra anë kemi zhvillues të mëdhenj që ndërtojnë informalisht në qendër të Tiranës ose bregdet (shpesh në tokë të dhënë nga shteti) duke anashkaluar rregullat dhe mos paguar taksën e ndërtimit për të përfituar mandej nga amnistimi i legalizimit. Ndërkaq, në të njëjtën kohë familjeve të varfra në Theth apo bregdet iu shemben bujtinat modeste të ndërtuara për mbijetesë. Një shtet me dy standarde që bëhet i fortë me të dobëtit dhe i butë me të fortët.
Ligji këtu nuk është më një normë që aplikohet me barazi, por një thikë që seleksionohet me kirurgji politike si mjet ndëshkimi për të pamundurit dhe mjet përfitimi për të pushtetshmit. Në këtë teatër të absurdit, drejtësia nuk është e verbër; ajo i ka sytë hapur mirë për të parë se cilin duhet të godasë dhe cilin duhet të amnistojë e subvencionojë.
Pjesa më cinike e kësaj historie mbetet dimensioni elektoral, ku listat e legalizimeve që shfaqen faqeve të gazetave nuk janë thjesht dokumente administrative, por janë “fletëvotimi” të kamufluara. Ato nuk shërbejnë për të rregulluar territorin, por për të mbajtur nën tension një elektorat të tërë që ushqehet me shpresën e radhës: “mos u shqetëso, radha jote po vjen”. Këtu, legalizimi zhvishet nga çdo petk ligjor dhe kthehet në monedhë të pistë këmbimi; një kontratë e heshtur dhe imorale ku shkelja e ligjit tolerohet sot, që të shpërblehet me votë nesër. Në këtë pikë, degjenerimi është total: shteti braktis rolin e tij si garant i rregullit dhe sovranitetit të ligjit, për t’u katandisur në një menaxher banal të devijimit dhe tregtar i paligjshmërisë.
Në fund, pas këtij rrugëtimi prej dy dekadash të përdaljes së emrit legalizim, mbetet vetëm një shije e hidhur zhgënjimi. Është dëshpëruese të shohësh se si një ide që premtonte shtetndërtim dhe emancipim ekonomik, u katandis në një mjet banal për mbijetesë politike të elitës së komprometuar shqiptare. Ndjen një lloj pafuqie personale kur kupton se vizioni i De Sotos për të nxjerrë kapitalin e shtresave të margjinalizuara nga errësira, në Shqipëri u përdor si dritë jeshile për të zhytur shtetin në informalitet të përjetshëm.
Në fund, pyetja që shtrohet nuk është më teknike apo administrative, por ekzistenciale: a kemi të bëjmë me një shtet që nuk mundet të vendosë rregull, apo me një kastë që nuk do sepse nuk i leverdis? Duke e lënë ‘vijën e kuqe’ të mbetet një mirazh që shtyhet pas çdo zgjedhjeje, ne nuk po mbyllim plagët e tranzicionit, por po kalbëzojmë themelet e së ardhmes. Për sa kohë që legalizimi mbetet një pazar elektoral dhe jo një akt final i sovranitetit të ligjit, Shqipëria do të mbetet peng i një padrejtësie tragjike ku ndershmëria është kosto e sforcim heroik, ndërsa shkelja e ligjit është investimi më i sigurt. Pa një prerje të thikës që i jep fund këtij seriali, ne nuk po ndërtojmë qytete, po institucionalizojmë kaos, nuk po ndërtojmë shtet të ligjit, por po betonizojmë sundimin e “Maliqit”.




