Orbáni frymëzoi populistët, humbja e tij mund të përmbysë këtë trend

opinion

Duhet të shpresojmë që ky votim do të jetë fillimi i një reagimi më të gjerë – dhe ta kthejë populizmin e ekstremit të djathtë përsëri në periferi, aty ku e ka vendin. Nga: Polly Toynbee / The Guardian (titulli: Viktor Orbán inspired rightwingers across the EU and in Britain. His defeat could represent a […]

Madhësia e shkronjave

Duhet të shpresojmë që ky votim do të jetë fillimi i një reagimi më të gjerë – dhe ta kthejë populizmin e ekstremit të djathtë përsëri në periferi, aty ku e ka vendin.

Nga: Polly Toynbee / The Guardian (titulli: Viktor Orbán inspired rightwingers across the EU and in Britain. His defeat could represent a turning of the tide) Përkthimi: Telegrafi.com

Forcat e errësirës u zmbrapsën të dielën. Në Hungari u mposht fuqia e madhe e kombinuar e Rusisë së Vladimir Putinit dhe Amerikës së Donald Trumpit, ndërsa triumfuan vlerat liberal-demokratike evropiane.

E djathta populist-nativiste dha gjithçka për të mbajtur Viktor Orbánin në pushtet. Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, në mes të luftës në Iran gjeti kohë për të dhënë mbështetjen e tij në Budapest – një muaj pasi Konferenca e Veprimit Politik Konservator e së djathtës ekstreme amerikane u zhvillua atje. Në janar, Benjamin Netanyahu u shfaq në një video duke mbështetur Orbánin, me deklarata mbështetjeje nga Giorgia Meloni e Italisë dhe Marine Le Pen e Francës. Herbert Kickl i Partisë së Lirisë së Austrisë deklaroi se “era patriotike po fryn në të gjithë Evropën”. Ndoshta, por jo në drejtimin e tyre. Patriotizmi nuk u përket atyre.

Humbja e Orbánit nga partia Tisza e konservatorit Péter Magyar, i dobëson të gjithë ata. Orbáni humbi pavarësisht viteve të tëra me manipulim të zonave zgjedhore nga shteti partiak, ndryshimeve kushtetuese, korrupsionit dhe nënshtrimit të mediave, gjyqësorit dhe zyrave të tjera publike. Hungarezët më në fund u çliruan, duke dërguar një të frymë të ftohtë në të djathtën autoritare të Evropës.

Hungaria e Orbánit luajti një rol kyç në të djathtën globale. Siç e kanë shprehur aktivistët investigativë të klimës, DeSmog: “[Ai] ka përdorur një rrjet think-tankesh të mbështetur nga shteti, media dhe konferenca për të promovuar markën e tij të ‘demokracisë joliberale’ në të gjithë Evropën, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar”.

Sa e rrezikshme ka qenë rritja e së djathtës së fortë evropiane: ajo mori rreth një të katërtën e vendeve në Parlamentin Evropian në vitin 2024, mbajti pushtetin në Itali dhe iu bashkua ose mbështeti koalicionet qeverisëse në Finlandë, Suedi, Austri, Sllovaki dhe (deri së fundmi) në Holandë. Imazhi që Evropa kishte për veten pas Luftës së Dytë Botërore, si bastion global i demokracisë liberale, ishte nën kërcënim. Magyari nuk është liberal social, por ai e kthen Hungarinë në rrjedhën kryesore të BE-së.

Rezultati në Hungari përputhet me ndryshimin e rrjedhës kundër Trumpit dhe gabimit të tij të madh: ndezjen jo vetëm të luftës në Iran, por edhe një rritje inflacioni në të gjithë globin. Ciklet e pushtetit dhe ndikimit lëvizin ngadalë, por një president i ShBA-së që po shkon drejt zgjedhjeve afatmesme me çmimet e karburantit të rritura me 21 përqind, nuk do të jetë më shembull për të djathtët ekstreme, por një lidhje që duhet shmangur.

Në vitin 2018, Nigel Farage, një mbështetës i Orbánit, postoi: “Viktor Orbáni është udhëheqësi më i fortë në Evropë dhe makthi më i madh i BE-së”. Udhëheqësi i Reform UK-së tani mund të ndiejë efektet e çdo rënieje të mbështetjes për politikën e së djathtës ekstreme. Në fund të fundit, partia e tij u ngrit mbi këtë valë, por – sipas psefologut Peter Kellner – tashmë po fillon të bjerë. Dështimi për të fituar qarqet Gorton dhe Denton ishte një goditje e madhe, duke rrëzuar kandidatin e tij kryesor, Matt Goodwin. Mbështetja e tij për presidentin e ShBA-së është e turpshme, kur vetëm 16 përqind e votuesve në Mbretërinë e Bashkuar favorizojnë Trumpin. Shikoni tërheqjen e tij të papritur: të premten ai pranoi se “rastësisht e njoh [Trumpin], por kjo nuk ka rëndësi”.

Ajo që Farage nuk e përmend kurrë është se Brexit-i e bëri atë – dhe ai e bëri Brexit-in. Kjo sepse – sipas Statista-s – 58 përqind e vendit tani thonë se largimi nga BE-ja ishte një vendim i gabuar. As nuk duhet t’i lejohet të harrojë deklaratën e tij që i bënte nder Putinit, se Perëndimi “provokoi” pushtimin e Ukrainës nga Rusia. As atë që, në vitin 2014, Putini ishte lideri të cilin ai e admironte më së shumti, megjithëse “si operator, por jo si qenie njerëzore”.

Për momentin, në krye të sondazheve të opinionit me 25 përqind, Reform-a pritet të fitojë fuqishëm në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm. Por, kjo nuk do të thotë se Farage do të shihet si kryeministër pas tre vjetësh. Shenjat paralajmëruese përfshijnë këtë, sipas Kellnerit: Reform-a ka kaluar laburistët si partia kundër së cilës njerëzit do të votonin më shumë, gjë që do të jetë vendimtare kur të hyjnë në lojë konsideratat për votimin taktik.

Është e dyshimtë që shumica e votuesve të Reform-ës kanë pritur me padurim rezultatet e zgjedhjeve në Hungari, por shpesh ekziston një osmozë e mistershme në opinionin politik, një dridhje përmes së cilës njerëzit që mund të mos jenë të fiksuar pas lajmeve përthithin një ndryshim në ajër. Rob Ford, profesor i shkencave politike në Universitetin e Mançesterit, mendon për pikën e “kthimit të rrjedhës”: ai ka parë zbehjen e shumë iluzioneve të tilla. Duhet të presim për të parë nëse humbja e Orbánit dërgon valë tronditëse te bashkudhëtarët konservatorë. “A do të ndryshojnë mendim ata komentues në Telegraph dhe Spectator që mendojnë se Reform-a mund të jetë përgjigjja”? – pyet Ford.

E djathta britanike fluturoi shumë pranë Orbánit. Vetëm këtë vit, Good Law Project raportoi se think-tanku Mathias Corvinus Collegium, i financuar nga shteti hungarez, i dha më shumë se 500 mijë paundë [574 mijë euro], fondacionit Roger Scruton Legacy në Mbretërinë e Bashkuar. Drejtorët e këtij të fundit përfshijnë jo vetëm shefin e politikave të Reform-ës, James Orr, por edhe redaktorin e Spectator-it dhe ish-ministrin konservator, Michael Gove. Çfarë ndodhi me kordonin që dikur mbronte konservatorizmin nga e djathta ekstreme?

Ka edhe një paralajmërim për laburistët. Fordi u thotë atyre të mos gjejnë ngushëllim në rezultatin hungarez. Duke qenë në prag të “goditjes më të keqe në histori”, rreziku më i madh për laburistët është “marramendja e tyre aktuale prej vetëkënaqësisë”.

Saktësisht, 70 vjet pas kryengritjes së dështuar hungareze, refuzimi i fuqishëm i Fidesz-it nga vendi mund të nxisë një entuziazëm të ri për unitetin evropian dhe idenë liberal-demokratike. Ky është një votim për ta dërguar populizmin e së djathtës ekstreme përsëri në skajet ku e ka vendin. Një seri zgjedhjesh evropiane në vitin e ardhshëm do të na tregojë nëse kjo ishte thjesht një histori hungareze – apo nëse rezonon fuqishëm në të gjithë kontinentin. Por, lajmet e mira janë jashtëzakonisht të rralla, ndaj shfrytëzojeni këtë tani. /Telegrafi/