Abdixhiku mohon diskutimet për emra konkretë për president, thotë se LDK nuk mbështet përqendrimin e pushtetit në një parti

Nacionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për postin e presidentit, duke i cilësuar si të pavërteta spekulimet që kanë qarkulluar në opinion. Ai ka theksuar se diskutimi është fokusuar vetëm në propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për postin e presidentit, duke i cilësuar si të pavërteta spekulimet që kanë qarkulluar në opinion.

Ai ka theksuar se diskutimi është fokusuar vetëm në propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë qëndrim kundërshtues.

“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të ketë përpjekje për takime të reja, por aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë proces.

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.

Abdixhiku konfirmoi gjithashtu se është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar qëndrimet lidhur me këtë çështje, ndërsa tha se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka refuzuar një takim të tillë.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj. Sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, s’është problem i madh”, tha ai.

Lideri i LDK-së theksoi se nuk ka ambicie personale për postin e presidentit, duke nënvizuar se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në parime.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra duhet të flasim për parimet njëherë. Mos t’i ngatërrojmë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishme shtetërore. Pra flasim për interesa ndërpartiake. Pra a ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe. Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se, pavarësisht kalimit të një pjese të afatit kushtetues, ende nuk është arritur marrëveshje për një kandidat konsensual për president.

“Po s’e kemi gjetur. I kemi harxhuar diku 30 ditë para afatit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kemi arritur të gjejmë një president konsensual. Pra, fillimisht duhet të flasim për parimet. Pra si duket ai president? A duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes apo partive të tjera? Pra është çështje, në qoftë se ka marrëveshje, atëherë gjenden edhe emrat. Në qoftë se mendoni a ka kandidatë, ka mjaft. Çdo i dyti qytetar ka pasur qenë i mirë për të qenë president. Besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/