Nga: Kelly Sadler / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar, mbesa dhe stërmbesa e gjeneralmajorit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike [IRGC], Qassem Soleimani – terrorist tashmë i ndjerë – u arrestuan nga agjentë federalë në Los Anxhelos, pasi thuhet se jetonin një jetë luksoze në ShBA ndërkohë që promovonin terrorizmin islamist në mbarë botën.
Ndërsa e quanin Amerikën “Satani i Madh”, Hamideh Soleimani Afshar, 47 vjeçe, dhe vajza e saj Sarinasadat Hosseiny, 25 vjeçe, postonin në Instagram (postime tani të fshira) fotografi ku shfaqeshin duke udhëtuar nëpër ShBA: duke festuar në Majami, duke pushuar në Alaskë, duke frekuentuar klube nate në Las Vegas dhe duke pirë shampanjë përpara një helikopteri në një vend të paidentifikuar në shkretëtirë.

Në shumicën e postimeve të tyre, ato shfaqeshin të veshura me rroba luksoze të stilistëve të famshëm, me bikini, bluza që lënë barkun zbuluar, minifunde dhe taka të larta “Christian Louboutin”, ndërsa mbanin çanta “Louis Vuitton”, me flokët e errët që u valëviteshin lirshëm, pa u kufizuar nga hixhabi.
Në Iran, nëse gratë nuk mbulojnë siç duhet kokën me hixhab, atyre u hidhet acidi në fytyrë, rrihen nga policia morale, arrestohen dhe futen në listë të zezë.
“Deri së fundmi, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj ishin mbajtëse të kartës së gjelbër dhe jetonin në luks në Shtetet e Bashkuara”, njoftoi të premten sekretari i Shtetit, Marco Rubio, për arrestimin e tyre. “Këtë javë, kam ndërprerë statusin ligjor, si për Afsharin ashtu edhe për vajzën e saj, dhe ato tani ndodhen në paraburgim nga ICE-ja [Zbatimi i Ligjit për Imigracionin dhe Doganat e ShBA-së], në pritje të dëbimit nga Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime terroriste antiamerikane”.
Është shqetësues fakti që zonja Afshar dhe zonja Hosseiny u lejuan të jetonin fillimisht në ShBA, duke pasur parasysh lidhjen e tyre me Soleimanin dhe mbështetjen e tyre të hapur për IRGC-në.
Zonja Afshar hyri në ShBA në vitin 2015 me vizë turistike dhe iu dha azili në vitin 2019. Ajo mori kartën e gjelbër në vitin 2021, një vit pasi xhaxhai i saj u vra në një sulm me dron të urdhëruar nga presidenti Trump gjatë administratës së tij të parë.
Vitin e kaluar, gjatë aplikimit për shtetësi amerikane, zonja Afshar pranoi se kishte vizituar Iranin katër herë që nga marrja e kartës së gjelbër, një deklaratë që minonte pretendimin e saj fillestar për azil. Zonja Hosseiny erdhi në ShBA me nënën e saj në vitin 2015, me vizë studentore, mori azil në vitin 2019 dhe fitoi kartën e gjelbër në vitin 2023.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, zonja Afshar “promovoi propagandën e regjimit iranian, çmoi sulmet kundër ushtarëve dhe objekteve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, lavdëroi udhëheqësin e ri suprem iranian, e denoncoi Amerikën si ‘Satani i Madh’ dhe shprehu mbështetje të palëkundur për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, organizatë kjo e shpallur terroriste”, pretendoi Departamenti i Shtetit pas revokimit të statusit të saj dhe të vajzës së saj.
Në vitin 2022, gjenerali i IRGC-së, Morteza Mirian, komandant i operacioneve tokësore, deklaroi se katër mijë të afërm të “zyrtarëve të lartë” të IRGC-së jetojnë në ShBA, Kanada dhe Evropë. Në vitin 2019, Brian Hook, përfaqësues special për Iranin gjatë administratës së z. Trump, tha për Iran International se “fëmijët e zyrtarëve të Republikës Islamike çojnë jetë të pasur dhe komode në ShBA dhe vende të tjera, ndërsa populli iranian jeton në kushte të tmerrshme”. Z. Hook tha se kjo tregonte “hipokrizinë e regjimit”.
Kjo gjithashtu tregon dobësi në sistemet e emigracionit të Perëndimit, nga të cilat Irani ka përfituar në mënyrë sistematike gjatë viteve.
“Kur flasim për praninë e agjentëve të Republikës Islamike, veçanërisht të IRGC-së, duhet të kuptojmë se kjo nuk është rastësi. Ajo operon në shtresa”, tha muajin e kaluar Mehdi Ghadimi – gazetar iranian në mërgim – për Fox News Digital. “Ata vijnë si studentë ose profesorë, por shumë prej tyre kanë lidhje të mëparshme me IRGC-në, dhe pjesë e rolit të tyre është të normalizojnë Republikën Islamike në universitete dhe të mbledhin informacione për aktivistët”.
Muajin e kaluar, New York Post raportoi se fëmijët e elitës së regjimit iranian janë “në universitete prestigjioze në të gjithë ShBA-në, përfshirë Universitetin e Masaçusetsit, Kolegjin Union të Nju-Jorkut dhe Universitetin Xhorxh Uashington”.
Departamenti i Shtetit i z. Rubio duket se po i kushton vëmendje kësaj çështjeje.
Në mars, departamenti ndërpreu statusin ligjor të Fatemeh Ardeshir-Larijanit, vajzës së Ali Larijanit, ish-sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Zonja Larijani ishte mjeke dhe jepte mësim në Universitetin Emori në Atlantë, përpara se universiteti të ndërpriste marrëdhëniet me të në janar, nën presionin e disidentëve.
Përveç zonjës Larijani, Post identifikoi edhe pesë anëtarë të tjerë të familjeve të rangut të lartë të IRGC-së që punojnë në universitete prestigjioze në të gjithë ShBA-në.
“Do të mendoja se ekziston një rrezik për sigurinë, pasi studiuesit iranianë kanë qenë të rëndësishëm në formimin e opinionit publik në të majtën e ShBA-së, duke mashtruar në thelb liberalët që të mendojnë se regjimi është më progresiv, ndërkohë që ai vazhdon të ndjekë të njëjtën agjendë të ashpër”, tha Janatan Sayeh për Post, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë, një institut kërkimor me bazë në Uashington.
Ai shtoi: “Shumë prej tyre janë nipa dhe mbesa, dhe është e vështirë të gjurmohen sepse nuk kanë të njëjtin mbiemër si udhëheqësit e regjimit”.
Megjithatë, kjo nuk ka rëndësi. Nëse shërbimet inteligjente amerikane mund të ndjekin liderët e Iranit brenda vendit të tyre, atëherë duhet të jenë në gjendje të identifikojnë se ku jetojnë anëtarët e familjeve të tyre brenda ShBA-së.
Më pas, të gjithë duhet të dëbohen përsëri në Iran. Askush që e cilëson SHBA-në si “Satani i Madh” dhe mbron IRGC-në nuk duhet të lejohet të jetojë dhe të përparojë në Amerikë. /Telegrafi/





