Një Lamborghini Murciélago LP640 i modifikuar në mënyrë ekstreme nga Liberty Walk ka arritur të shitet për plot 344,000 dollarë (rreth 320,000 euro), duke dëshmuar se edhe projektet më të pazakonta mund të kenë vlerë të madhe në treg.
Bëhet fjalë për një model të vitit 2007, i cili fillimisht u dorëzua në SHBA, përpara se të eksportohej në Japoni në vitin 2012, ku iu nënshtrua një transformimi radikal.
Me paketën “Silhouette Works GT Evo”, makina mori një dizajn agresiv të frymëzuar pjesërisht nga Lamborghini Reventón, me një pjesë të përparme tërësisht të ridizajnuar, drita shtesë dhe kapak motori të ri.

Ndryshimet vazhdojnë në të gjithë trupin, me harqe rrotash të zgjeruara, pragje anësore unike dhe një “roof scoop” gjigant.
Pjesa e pasme është ndoshta më e pazakonta, me difuzor, krah aerodinamik dhe drita të pasme krejtësisht të personalizuara.
Përveç pamjes ekstreme, makina është pajisur me goma Michelin Pilot Sport 4 S, sistem pezullimi ajror dhe teknologji moderne si pasqyrë dixhitale. Megjithatë, ndryshe nga versionet më të kërkuara me manual, ky model vjen me transmisionin “e-gear”.
Pavarësisht se mund të ndajë opinionet për shkak të stilit “Batmobile”, fakti që ka vetëm 20,000 milje dhe është një krijim unik duket se ka ndikuar në çmimin e lartë.





