Deklaratat për një pajisje shpërthyese të gjetur pranë një tubacioni gazi që lidh Serbinë me Hungarinë kanë nxitur reagime të forta nga analistë dhe zyrtarë evropianë, të cilët paralajmërojnë për një skenar të mundshëm të inskenuar politik.
Analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq ka deklaruar se përfshirja e mundshme e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në një operacion të tillë “false flag” për të ndikuar në zgjedhjet në Hungari duhet të shënojë një pikë kthese në marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë.
“Kjo nuk mund të injorohet, siç u injorua në mënyrë absurde sulmi paramilitar në Banjskë. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së BE-së”, ka theksuar ai.

Edhe eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke i cilësuar pretendimet si të pabesueshme.
“Nuk mund të kishit shpikur një histori më idiote”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Sipas raportimeve, gazetarë investigativë në Hungari kanë ngritur dyshime se rasti mund të jetë pjesë e një operacioni të inskenuar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit.
Gazetari Balázs Kaufmann ka publikuar një mesazh që pretendon se e ka marrë nga një burim brenda qeverisë hungareze, ku përshkruhet një skenar për një “sulm” ndaj interesave hungareze në Serbi, me qëllim justifikimin e masave të jashtëzakonshme.
Informacione të ngjashme janë bërë publike edhe nga gazetari Szabolcs Panyi nga redaksia investigative Direkt36.
Analistët vlerësojnë se bashkëpunimi i ngushtë mes Beogradit dhe Budapestit lidhet me strategjinë më të gjerë të partisë Fidesz në Ballkan.
Lideri i opozitës Peter Magjar, i cili konsiderohet favorit në zgjedhjet hungareze të planifikuara për javën e ardhshme, tha se ngjarjet në Serbi me eksplozivët e dyshuar të gjetur përfaqësojnë një “operacion komplet i inskenuar”.
Orbán më parë u bëri thirrje qytetarëve hungarezë që jetojnë në Serbi të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa Partia Progresive Serbe dhe Unioni i Hungarezëve të Vojvodinës i nxitën votuesit të votojnë për partinë Fidesz të Orbán.
Politiko raportoi së fundmi se Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme SVR i Rusisë po shqyrtonte plane për të rritur perspektivat e kryeministrit hungarez në zgjedhjet e ardhshme, pasi sondazhet tregojnë se fitorja këtë herë do të jetë e vështirë.
Raportohet se oficerët e inteligjencës ruse, si një mënyrë për të rritur vlerësimin e Orbanit, shqyrtuan mundësinë e organizimit të një atentati ndaj tij.
Zgjedhjet parlamentare në Hungari do të mbahen fundjavën e ardhshme më 12 prill./TheGeopost/





