Njëzet shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në Tiranë do të pajisen me kamera inteligjente dhe teknologji të avancuar, me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet arsimore me një numër të madh nxënësish.
Ministria e Brendshme ka përzgjedhur shkollat që do të përfshihen në fazën e parë të projektit “Smart City”, ku do të ofrohet survejimi i institucioneve edukuese me inteligjencë artificiale.
Disa nga shkollat 9-vjeçare të përzgjedhura dhe ndër më populloret në kryeqytet janë “Fan Noli”, “Kongresi i Manastirit”, “Ramazan Jarani”, “Ahmet Gashi”, “Gjon Buzuku”, “Jeronim De Rada”, “Avni Rustemi”, ndërsa në shkollat e mesme përfshihen gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Partizani”, shkolla e mesme “Teknike Ekonomike”, si dhe gjimnazi “Aleks Buda”.

Veç emrave të institucioneve edukuese, është përcaktuar edhe numri i nxënësve në çdo shkollë dhe numri i kamerave inteligjente që duhet të mbulojnë shkollat përkatëse.
Numri i kamerave që do të vendosen në institucionet shkollore do të përcaktohet nga madhësia e shkollës dhe nga numri i nxënësve që e frekuentojnë atë. Ky numër varion nga 11 kamera për shkollat më të vogla deri në 31 kamera për shkollat më të mëdha.
Qëllimi i projektit synon forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e kriminalitetit përmes teknologjisë, pasi çdo ambient i brendshëm dhe i jashtëm i shkollës do të monitorohet nga këto kamera.
Përdorimi i teknologjisë më të fundit në institucionet arsimore përfshin jo vetëm kamera dhe detektorë, por edhe elementë të tjerë që përthithin sinjale të ndryshme, duke integruar këtu edhe inteligjencën artificiale, me qëllim përpunimin e informacionit dhe vënien e tij në shërbim të punonjësve të policisë për parandalimin e ngjarjeve të rënda dhe për ofrimin e një ambienti të sigurt në shkollat tona.





