Tingujt shqiptarë pushtojnë NBA-n, spektakël në parketin e Chicago Bulls

Një atmosferë krejtësisht shqiptare ka mbizotëruar në një prej arenave më ikonike të basketbollit botëror, United Center, përpara ndeshjes së NBA-së mes Chicago Bulls dhe Phoenix Suns. Në kuadër të një mbrëmjeje të dedikuar komunitetit shqiptar në SH...

Sport
Reklame

Një atmosferë krejtësisht shqiptare ka mbizotëruar në një prej arenave më ikonike të basketbollit botëror, United Center, përpara ndeshjes së NBA-së mes Chicago Bulls dhe Phoenix Suns.

Në kuadër të një mbrëmjeje të dedikuar komunitetit shqiptar në SHBA, një ansambël artistik nga Illinois performoi live në parket, duke sjellë tingujt e muzikës tradicionale shqiptare dhe valle karakteristike kombëtare.

Të veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, valltarët dhuruan një performancë energjike dhe autentike, e cila u mirëprit nga publiku amerikan i pranishëm në sallë.

Ritmet dhe dinamika e valleve shqiptare krijuan një spektakël të veçantë, rrallëherë të parë në skenën e NBA-së.

Kjo iniciativë jo vetëm që promovoi kulturën shqiptare në një arenë globale si NBA, por gjithashtu theksoi rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA.

Nga Shqipëria dhe Kosova, deri në zemër të Chicagos, kjo natë u shndërrua në një moment krenarie kombëtare.

Pamjet nga performanca kanë nisur të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe duke nxjerrë në pah pasurinë e traditave shqiptare në një skenë globale sportive. /Telegrafi/