Një artist gjerman që krijoi shfaqje karnavalesh që tallnin presidentin rus Vladimir Putin u dënua në mungesë me më shumë se 8 vjet burg nga një gjykatë në Moskë.
Jacques Tilly u dënua me akuzat për “përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me ushtrinë ruse dhe fyerjen e ndjenjave fetare”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Paradat e karnavaleve në Gjermani janë të famshme për karvanet e tyre që tallnin një gamë të gjerë figurash politike vendase dhe globale dhe Putini ka qenë shpesh një shënjestër.
Tilly, 62 vjeç, ka projektuar dhe ndërtuar karvane për paradën e Karnavaleve të Düsseldorf-it, një nga më të njohurat në Gjermani, që nga viti 1984.
Në vitet e fundit, dizajnet e tij kanë përshkruar Putinin duke u fërkuar në një vaskë të mbushur me gjak dhe të lyer me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, ndërsa një tjetër paraqiste një Putin me fytyrë të kuqe që kafshonte Ukrainën, e cila ishte zbukuruar me fjalët “Mbytu me të!”
Tilly i kishte thënë më parë agjencisë gjermane të lajmeve dpa se procedurat penale ruse kundër tij ishin “një gjyq propagande i një regjimi autoritar”.
“Ka shumë të ngjarë që vendimi kundër meje të jetë dhënë tashmë. Unë supozoj se do të jenë shumë, shumë vite burgim”, tha Tilly.
“Është një sulm ndaj lirive tona. Mbi lirinë e mendimit, mbi lirinë e shtypit, mbi lirinë e satirës, mbi lirinë e shakasë. Dhe kështu kuptohet këtu në Gjermani”. /Telegrafi/







