KosovaPress ka siguruar transkripta të komunikimeve mes të akuzuarve për spiunazh për BIA-n serbe, Jelena Gjukanoviq dhe Aleksander Vllajiq, të cilët hetohen për veprën penale të spiunazhit.
Sipas këtyre materialeve, komunikimet e zhvilluara më 7 dhjetor 2022 hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit dhe shkëmbimit të informatave që dyshohet se lidhen me BIA.
Nga biseda mes këtyrë të dyve konfirmohet se Gjukanoviq dhe Vlajiqi shin bashkëpunëtorë në veprën penale të spiunazhit.

Komunikimi që ka siguruar KosovaPress, mes këtyre të dyve, ku flasin për BIA-n, i takon datës 7 dhjetor 2022.
Në një nga bisedat, Vlajiq shprehet në mënyrë pozitive për raportimet që Gjukanoviq i kishte përgatitur për BIA-n serbe.
Sipas burimit të KosovëPress, me këtë ajo i referohet strukturave të inteligjencës serbe.
Në vijim të komunikimit, ata përdorin termin “firmë e madhe”, duke iu referuar BIA-s, ndërkohë që flasin për “të dhënat” që i kanë përcjell shërbimit serb.
Ata flasin edhe për “cilësinë” e materialeve që Gjukanoviq, sic konfirmon burimi, ka përgatitur për BIA-n.
“…mund të ishte shumë më mirë, por përmbajtja është e saktë”, thuhet mes tjerash në komunikimin e tyre, që vërteton bashkëpunimin e tyre me shërbimin serb (BIA).
Ndërkaq, nga ajo që i kthen Vlajiq, se “Të gjitha janë të qarta. Ata i kanë të gjitha ato dhe ka kush merret me to”, sipas burimeve brenda Prokurorisë, konsiderohet si indikacion se materialet e përgatitura janë përcjell më tej.
Ndryshe, të dy të dyshuarit, Gjukanoviq dhe Vlajiq, janë përfshirë në hetime për veprën penale të spiunazhit, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi provat e tjera në këtë rast.
KosovaPress pati raportuar për arrestimin e Jelena Gjukanoviqit, më 28 shkurt 2025, derisa ishte e punësuar në OSBE, nën dyshimin se kishte përcjell informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Republikës së Kosovës te Aleksandar Vllajiq, i identifikuar si agjent rezident i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Ndaj të tyre ka raste të hapura, ndërsa nesër Gjukanoviq do të dalë sërish para Gjykatës.






